Ndërrohet komanda e FSK-së në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes
Në kazermën “Skënderbeu” të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ferizaj, është zhvilluar të martën ceremonia e ndërrimit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS).
Komandanti i deritanishëm, gjeneralbrigade Enver Cikaqi ia ka dorëzuar detyrën komandantit të sapoemëruar gjeneralbrigade Irfete Spahiu.
Gjeneralbrigade Irfete Spahiu është oficerja e parë grua, e graduar në këtë rang, nga radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe oficerja e parë në detyrën e komandantit të Brigadës.
Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, zëvendësministri Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, drejtori i NLAT-it, gjenerali Hofmann, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliq, komandanti i kampit Bonstell, gjeneralët e FSK-së, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale.
Ceremonia e ndërrimit të komandës ka filluar me intonimin e himnit shtetëror.
Me pas është lexuar dekreti i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për gradimet dhe emërimin e gjeneralbrigade Enver Cikaqi, komandant i Komandës së Forcave Tokësore dhe gjeneralbrigade Irfete Spahiu, komandante e KDS-së.