Ndërrohet komanda tek kontingjenti gjerman i KFOR-it
Në Kampin Fushor në Prizren, me një ceremoni festive u bë ndërrimi i komandës nga Kontingjenti i 48-të tek Kontingjenti i 49-të Gjerman i KFOR-it.
Në mesin e mysafirëve të shumtë të lartë, ishin krahas ambasadorit gjerman në Kosovë, Christian Heldt, edhe zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Janos Csombok, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (Director NALT), gjeneral brigade Ralf Hoffmann, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, si dhe përfaqësues fetarë nga bashkësi të ndryshme fetare në Prizren dhe përfaqësues nga komunat.
Zëvendëskomandanti i Komandës për Udhëheqje të Misioneve të Bundeswehrit, gjeneralmajor Thorsten Poschwatta, ka dorëzuar komandën mbi Kontingjentin Gjerman të KFOR-it nga nënkolonel Hans Jürgen Elsen tek pasardhësi i tij, nënkolonel Christian Kiesel.
Gjeneralmajor Poschwatta ka theksuar se Gjermania do të kontribuojë edhe më tutje për një Kosovë stabile.
Aktualisht në Kosovë veprojnë 400 ushtarë gjermanë të cilët e kanë për detyrë edhe më tutje, që në kuadër të misionit të KFOR-it, të ndihmojnë në ndërtimin e një mjedisi shumetnik, paqësor, ligjor dhe demokratik.