Ndërroi jetë akademik Salih Gashi

21 prill 2025 | 18:56

Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot, më 21 prill 2025, në moshën 81-vjeçare ndërroi jetë profesori i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit Prishtinës, akademik Salih Gashi.

Salih T. Gashi u lind më 1944 në fshatin Baran të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Pejë. Në vitin 1962 u regjistrua në degën e kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) në Prishtinë dhe pas vitit të dytë vazhdoi studimet në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në vitin 1966. Pas përfundimit të studimeve punoi në Kombinatin Trepça, Minierat dhe Flotacioni në Kishnicë dhe Novobërdë (Artanë), si udhëheqës i laboratorit të kimisë. Në vitin shkollor 1969/70 u regjistrua në studimet pasuniversitare në Fakultetin Teknologjik të Universitetit të Zagrebit, ku magjistroi në vitin 1971 me temën ”Studimi i fraksionimit të polistirenit”, ndërsa një vit më vonë u zgjodh asistent i kimisë fizike në degën e kimisë të FSHMN të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1978 mbrojti tezën e doktoratës me titull “Hulumtimi i strukturës poroze të membranave të osmozës së kundërt dhe përdorimi i tyre për pastrimin e ujërave të ndotura” në Universitetin e Zagrebit. Po këtë vit u zgjodh docent për lëndën kimia fizike në FSHMN. Gjatë kësaj periudhe ka qenë në specializim në Universitetin e Bërnos dhe në Institutin ”Hidroprojekt“ (Bërno, ish Çekosllovaki). Në vitin 1979/80 ka vazhduar studimet e postdoktoratës në Departamentin e Kimisë të Universitetit të Aberdeenit (Britani e Madhe). Po këtë vit ka marrë mirënjohje për punën e suksesshme në FSHMN. Në vitin 1984 është zgjedhur profesor inordinar për lëndën kimia fizike në këtë fakultet. Në vitin 1985 është ftuar profesor vizitor në Universitetin e Jenës dhe në Institutin e Makromolekulave të Akademisë së Shkencave të Berlinit dhe ka mbajtur ligjërata nga fusha e osmozës së kundërt (reverse). S.Gashi përgatiti për herë të parë membranat heterogjene të osmozës së kundërt në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1988 u zgjodh anëtar i “European Society of Membrane Science and Technology”, ndërsa në vitin 1993 profesor ordinar në departamentin e kimisë në FSHMN. Po këtë vit u zgjodh kryeredaktor për botimin e teksteve të shkencave të natyrës në Universitetin e Prishtinës. Ka dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e katedrave të kimisë fizike në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 2000-2002 u zgjodh kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Më 2012 mori mirënjohje nga FSHMN dhe po atë vit u zgjodh anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Nga viti 2013  ishte anëtar i “ALLEA’s working group on Science  Education”. Ishte anëtar korrespondent i “Euro Science Open Forum”. Në vitin 2017 u zgjodh kryeredaktor i revistës shkencore të ASHAK “Research-Kërkime”, teksa në dhjetor të vitit 2024 u zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Salih Gashi la një trashëgimi të vyer shkencore, si pjesëmarrës në shumë projekte, autor ose bashkautor i mbi 50 punimeve shkencore nga fusha e kimisë fizike, të botuar në revista prestigjioze në vende të ndryshme të botës dhe pjesëmarrës po në aq konferenca dhe tubime shkencore, ku përfaqësoi Universitetin e Prishtinës dhe më pas Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Në respekt të jetës dhe të veprës së Salih Gashit, më 23 prill 2025, e mërkure, në orën 10:00, në ambientet e Akademisë do të mbahet mbledhje përkujtimore dhe më pas, deri në orën 11:30, do të bëhen homazhe.

Në orën 11:30 kortezhi niset për në Baran të Ulët.

Varrimi do të bëhet poashtu më 23 prill 2025, në orën 16:30, në varrezat e Baranit të Ulët.

Kryesia e ASHAK-ut iu shpreh ngushëllime të thella familjes, profesorëve të Universitetit të Prishtinës dhe kolegëve të tij të Akademisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Haki Abazi nga AAK ka reaguar me një paralajmërim, ndaj…