Ndërroi jetë boksieri amerikan
Patrick Day nuk ia del. Boksieri amerikan i peshave të mesme ndërroi jetë për shkak të goditjes që mori në tru gjatë duelit me Charles Conwell javën e kaluar. Lajmin e hidhur e dha promotori i Lou DiBella.
27-vjeçari iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale pasi u mposht me “Knock- out” në raundin e 10-të në “Wintrust Arena” të Chicagos. “Në emër të familjes, të skuadrës së Patrick dhe njerëzve të afërt të tij, lutemi dhe shprehim mbështetjen dhe dashurinë për Pat”. Day u rrëzua dy herë në tapet, gjatë duelit, para se të humbte me “knock-out”. Conwell i dha një goditje të fortë me të djathtën pas veshit dhe një të majtë në nofull, raporton “SS”.
27-vjeçari mori ndihmën e parë për disa minuta në ring, për t’u dërguar më pas me urgjencë në spital, ku mbërriti në gjendje të vetëdijshme, por më vonë situata u përkeqësua. Mjekët bënë gjithçka për ta mbajtur në jetë, por Day u dorëzua pas disa ditësh.