
Ndërroi jetë presidenti i KH Besa Famgas dhe kontribuuesi i madh i hendbollit, Fadil Idrizi
Ka ndërruar jetë Fadil Idrizi, kontribuues i madh i hendbollit kosovar. I ndjeri Idrizi ka mbajtur postin e presidentit të klubit pejan, Besa Famgas, që për kohë shumë të gjatë ka dominuar në hendbollin tonë. Besa Famgas nën drejtimin e të ndjerit dhe familjes Idrizi ishte shembull i organizimit, ndërsa prej këtij mjedisi dolën dhe vazhdojnë të dalin shumë lojtarë cilësorë.
Fadil Idrizi ka kontribuuar për klubin Besa Famgas që prej vitit 2004.
Në emër të komunitetit kosovar të hendbollit, familjen e nderuar Idrizi e ka ngushëlluar presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci.
“Kontributi i të ndjerit Fadil Idrizi për klubin Besa Famgas dhe rrjedhimisht për gjithë hendbollin kosovar është i çmuar dhe do të respektohet gjithnjë. Familja Idrizi mbeti pa një anëtar të rëndësishëm, klubi Besa Famgas pa presidentin e tij shembullor, ndërsa ne si komunitet i hendbollit pa një kontribuues të madh”, ka shkruar Kolgeci.