Ndërroi jetë ushtari i Maqedonisë në Kosovë
Ministria e Mbrojtje e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se mbrëmë në Prishtinë ka vdekur pjesëtari i Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ndjeri tashmë ishte pjesë e kontingjentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në misionin e KFOR-it.
Ministria njoftoi se në mbrëmje, rreth orës 18.15, në spitalin e Prishtinës, Kosovë, ndërroi jetë ushtari 44 vjeçar (I.Q.), i cili bënte pjesë në kontingjentin e Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në misionin e KFOR-it. Ushtari përmes helikopterit u transportua nga baza në Pejë në Spitalin e Prishtinës, ku atje edhe vdiq.
“Me helikopter ushtarak, i shoqëruar nga personeli mjekësor ushtarak, ai është dërguar në institucionin më të afërt shëndetësor, në këtë rastin, në Spitalin e Prishtinë, ku pas mbërritjes i është bërë reanimacioni, por pas një kohe të shkurtër mjekët kanë konstatuar vdekjen, me gjasë sipas informacioneve të para nga një sulm në zemër”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Nga atje shtojnë se po merren të gjitha masat e nevojshme për transferimin e eshtrave të ushtarit për në vendlindje. Pas mbërritjes së trupit të ushtarit të ndjerë, varrimi do të bëhet me të gjitha nderimet ushtarake dhe në koordinim me familjen e tij në kohën dhe vendin që do të përcaktohet.