Ndërron jetë gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Pejë, Lumturije Muhaxheri
Pas një sëmundje të shkurtë dje me datën 26 prill ka ndërruar jetë gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Pejë, Lumturije Muhaxheri.
Gjyqtarja Muhaxheri, është varrosur në orët e pasdites të së hënes, në varrezat e qytetit të Pejës.
Gjykata Themelore në Pejë ju shpreh ngushëllime familjes, kolegëve dhe të gjithë miqve të të ndjerës Muhaxheri.
Gjykata përherë do ta kujtoj gjyqtaren Lumturije për punën e madhe, urtësinë dhe virtytet e larta të saj.
Biografi e shkurtër e gjyqtares Lumturije Muhaxheri:
Lumturije Muhaxheri diplomoj në Fakultetin Juridik në “Universitetin e Prishtinës” në vitin 1990, kurse Provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2006. Nga viti 2000 deri në vitin 2001 ajo ushtroi detyrën e juristes në OJQ ‘’KODI’’ në Pejë, ndërkaq nga viti 2002 deri më 2003 ka kryer praktikën profesionale ne Gjykatën e Qarkut në Pejë, ku vazhdoj te punoj vullnetare deri në vitin 2004. Nga viti 2004 punoi si Arkiviste e Lartë po në këtë gjykatë deri në vitin 2008, prej nga filloi punën si bashkëpunëtore profesionale deri ne vitin 2010. Më 2010 është emëruar si gjyqtare në Gjykatën e Qarkut në Pejë. Në fillim të janarit 2013 Muhaxheri u emërua si gjyqtare e Departamentit e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Pejë deri në muajin Korrik po të këtij viti kur u emërua gjyqtare në Departamentin për Krime të Rënda, pozitë të cilën e mbajti deri tani.
Afërsia me kolegë ka qenë virtyt që e ka karakterizuar gjatë tërë karrierës së saj.
I përjetshëm qoftë kujtimi për gjyqtaren Lumturije!