Ndërron jetë gruaja e Sllobodan Millosheviqit
Ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare gruaja e Sllobodan Millosheviqit, Mira Markoviq Millosheviq.
Ajo ka vdekur sot rreth orës 15:30, në Rusi, raportojnë mediet serbe.
Gjykata e Apelit në Beograd kishte hequr vendimin me të cilin Mirjana Markoviq ishte dënuar me një vit burgim për shpërdorim detyre pasi kishte ndarë në mënyrë të paligjshme banesa shtetërore në vitin 2018.
Ajo ishte dënuar në mungesë, meqë ishte duke jetuar në Moskë.
Markoviqi konsiderohej krah i djathtë i Sllobodan Millosheviqit, udhëheqësit më famëkeq të pasluftës së dytë botërore.
Sllobodan Millosheviqi, ish-president i Serbisë dhe i ish-Jugosllavisë ndryshe njihet edhe si “Kasapi i Ballkanit”, vdiq në një qeli të Tribunalit të Hagës, pa e pritur përfundimin e gjykimit ku ngarkohej me akuzave më të rënda, duke përfshirë akuzat për krime lufte dhe gjenocid.
Ironikisht, vdekja Millosheviqin e pati shpëtuar nga vuajtja e dënimit për veprat që rëndonin mbi të.
Ai ishte bashkëthemelues i Partisë Socialiste të Serbisë. Millosheviqi u akuzua për krime kundër njerëzimit për operacionet e ushtrisë jugosllave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.
Vetëm në Kosovë regjimi i udhëhequr nga Millosheviq ka shpërngulur afër një milionë shqiptarë, duke i dëbuar nga shtëpitë e tyre.