Ndërron jetë intelektuali Sami Repishti, ambasadori Reka: Lavdi veprës së tij kolosale kombëtare

27 nëntor 2024 | 22:24

Pa pritur ditëlindjen e 100-të, e një ditë para 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sot u shua kolosi intelektual dhe atdhetari shqiptar prof. dr. Sami Repishti.

Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ambasadori Blerim Reka, ka shkruar në “Facebook” se afër një shekull veprimtari patriotike, historia jonë kombëtare do ta kujtojë profesor Sami Repishtin me nderimet më të larta.

“Në vitin 1965 dëshmoi për Kosovën në Kongresin Amerikan, për të vazhduar me dekada luftën për të vërtetën e Kosovës, me kontributin e tij kolosal në vitet më të rënda për shqiptarët e Kosovës: midis represionit vrastar të Rankoviqit dhe shuarjes se përgjakshme të demonstratave të viteve 1968 e 1981. Me profesor Arshi Pipën do të organizojnë konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Nju Jork (1982) kur do të demantonin propagandën jugosllave dhe do të shpalosnin të vërtetën tragjike që po ndodhte në Kosovë. Dy vite më vonë, po me prof. Pipën do të editonte librin “Studies of Kosova”, që do të ndryshonte jo vetëm mendimin akademik amerikan e botëror por edhe do të zgjonte diplomacinë e përgjumur”, ka shkruar Reka.

Ai ka shtuar tutje se: “Në njërin nga komunikimet tona do të shkruante: “… faleminderimet e mia për ftesën me marrë pjesë në celebrimin e 15-vjetorit te pavaresise shtetnore te Kosoves juej dhe timen. Me vjen keq qe nuk mund te marr pjese ne kete festim per nji event historik siç ashte pavaresia, por mosha ime e avancueme me pengon me levize. Ju deshiroj me gjithe zemer nji festim te kandshem dhe kuptimplote, si ju ashtu edhe bashkepunetorve tuej,e te gjithe popullit vella kosovar. Rrofte Kosova e Lire, e Pavarun, Demokratike, e Bashkueme dhe Europiane. Sinqerisht i jueji Sami Repishti, PhD”.

“Në 75 vjetorin e lindjes, ai do të nderohej nga Kongresi i SHBA. E ne do ta nderojmë përjetësisht. Lamtumirë shqiptarit të madh, profesor Sami Repishti! Lavdi veprës së tij kolosale kombëtare!”, ka shkruar ambasadori Reka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Bujqësisë ka pezulluar grantet e dhëna për Blerim…