Ndërron jetë ish-kryediplomati italian

25 dhjetor 2022 | 14:20

Franco Frattini, i cili ka shërbyer dy herë si ministër i Jashtëm i Italisë dhe mbajti disa poste të tjera në kabinet, ka ndërruar jetë të shtunën në moshën 65-vjeçare, njoftuan mediat italiane.

Frattini, i cili prej disa kohësh ishte i sëmurë me kancer, vdiq në një spital të Romës.

Ai ishte ministër i jashtëm nën qeveritë e kryesuara nga kryeministri Silvio Berlusconi 2002-2004 dhe 2008-2011 dhe ka mbajtur dy poste të tjera në kabinet në qeveritë e drejtuara nga Berlusconi dhe Lamberto Dini në vitet 1990.

Nga viti 2004 deri në vitin 2008 ai ishte komisionar evropian për drejtësinë dhe në kohën e vdekjes së tij ishte president i Këshillit të Shtetit të Italisë, një organ konsultativ që mbikëqyr administratën publike.

Ai e ka filluar aktivitetin e tij politik si anëtar i Partisë Socialiste dhe më pas iu bashkua partive të qendrës së djathtë të Berlusconit.

Kujtomë se në prill të vitit 2010, Frattini kishte vizituar Kosovën, me ç’rast kishte takuar ish-kryeministrin Hashim Thaçi për të diskutuar mbi zhvillimet në Kosovë dhe rajon dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

Ish-ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini kishte përmendur iniciativat e ëeverisë italiane për forcimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kishte theksuar se Italia e mbështet Kosovën që ajo të jetë pjesë e këtyre zhvillimeve të rëndësishme.

Ai ishte takuar edhe me presidentin e atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ditën e Krishtlindjes, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin…