Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare spikerja e parë e RTSh-së

12 janar 2020 | 15:55

Stoli Beli, spikerja e parë e lajmeve në Radio Televizionin e Shqipërisë (RTSh) ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Ajo ishte shfaqur para shqiptarëve më 29 prill të vitit 1960, duke prezantuar në studion e parë të RTSh-së me fjalët: “Të dashur spektatorë, mirëmbrëma… Sonte fillon për herë të parë ‘Qendra eksperimentale e Televizionit Shqiptar”.

Kujtojmë që spikerja e njohur, një prej imazheve të vetme të asaj kohe që ndiqej nga shqiptarët në mungesë të shumë programacioneve që kemi sot, e nisi karrierën e saj në gazetari, duke raportuar gjithmonë ‘live’, pasi për shkak të mosavancimit të teknologjisë nuk kishte një studio regjistrimi.

Përveçse ishte spikerja e parë e ekranit të RTSh-së, ajo më pas ishte bërë edhe gazetarja e parë, redaktorja dhe regjisorja e parë në Shqipëri.

Të gjithë miqtë dhe familjarët e saj janë mërzitur për ndarjen nga jeta të Stolit, e cila njëkohësisht ishte edhe një prej emrave më të dashur për publikun shqiptar.

Për televizionin dje dhe sot ajo shprehej kështu: “Sot rinia po kalon një situatë të vështirë. Ka shumë papunësi, por ka dhe shumë liri. Pra, dy situata që duhen ekuilibruar. Kjo vjen edhe nga televizionet, të cilët nuk kanë gjetur dot emisionet e duhura, që rinia të gjejë veten dhe të rrijë para ekranit. Edhe në ato orë që rri para tij, rinia shikon filma rozë, filma horror, si dhe spektakle ku mbizotëron fjala fyese, fjalori zhargon dhe pa etikë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka filluar ndeshja miqësore në mes Suedisë dhe Kosovës, e…