Ndërron jetë poeti Ramadan Musliu, Dumoshi ngushëllon familjen
Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, ka thënë se me pikëllim të thellë e ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të poetit, publicistit, kritikut letrar dhe studiuesit Ramadan Musliu.
Ajo ka vlerësuar se kontributi i Ramadan Musliut ishte dhe do të mbetet shumëdimensional
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të poetit, publicistit, kritikut letrar dhe studiuesit Ramadan Musliu. Kontributi i Ramadan Musliut ishte dhe do të mbetet shumëdimensional. Ai ishte njëri prej kritikëve letrarë më të dalluar të letrave shqipe, si poet solli poezinë me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme, e si publicist qe i spikatur dhe me dije të thellë kulturore.
Vdekja e tij e hershme është humbje e madhe për kulturën dhe artin në përgjithësi në Kosovë. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin kulturor në Kosovë dhe për të gjithë ata që patin rastin ta njohin”, ka shkruar Dumoshi në profilin e saj në “Facebook”.