Ndërron jetë profesoresha Ilirjana Raça-Bunjaku
Sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë profesoresha e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, prof. dr. Ilirjana Raça – Bunjaku.
Lajmin e ka bërë me dije rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Artan Nimani.
“Të nderuar profesorë dhe studentë të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, me pikëllim të thellë morëm lajmin se sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë Prof. Asoc. Dr. Ilirjana Raça-Bunjaku, profesoreshë e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë Ky lajm i trishtë i tronditi të gjithë koleget dhe studentet e këtij universiteti, në veçanti studentët dhe koleget e Fakultetit të Mjekësisë ku e ndjera ishte Udhëheqëse e Programit të Infermierisë dhe për vite të tëra punoj me përkushtim në ngritjen dhe edukimin e studentëve të këtij fakulteti. Gjatë gjithë punës së saj, profesoresha Ilirjanë njihej nga studentët dhe koleget si një grua e vyeshme, korrekte, humane, e afërt dhe mbi të gjitha kolege e shkëlqyer”.
“Prof. Ilirjana do të mbahet në mend gjatë nga të gjithë ne, për karizmen e saj, për sensin e mirëfilltë të një intelektualeje dhe për kontributin e pamohueshëm në zhvillimin e Universitetit tonë. Me këtë rast shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta të gjithë familjarëve të Profesoreshës Ilirjana, kolegëve të punës në Klinikën e Pneumologjisë në QKUK, studentëve dhe stafit të Fakultetit të Mjekësisë në Gjakovë”, thuhet në telegramin ngushëllues të rektorit të UGJFA-së, Artan Nimani.
(Q.R / Epoka e re)