Ndërron jetë Sejdi Leku, organizator i protestave të ’81-s

27 dhjetor 2024 | 09:26

Ka ndërruar jetë veprimtari dhe organizatori i protestave të ’81-s, Sejdi Leku.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë nipi i tij, gazetari Astrit Gashi.

Varrimi i tij do të bëhet sot në orën 14:00 në Rezistencë të Drenasit.

“Dajosh, sa krenar jam me ty që i ke fituar të gjitha betejat! As burgjet nuk mundën të mposhtin, ty, plisbardhi im, që gjithmonë të kishte hije vendi. Kudo që shkoja, emri yt dhe vepra jote më bënin krenar. E di, dajosh, që do të na mungosh shumë, por atje ku po shkon, do të kesh pranë shokët e idealit tënd, ata me të cilët ndave dhimbjen, forcën dhe shpresën në errësirën e burgjeve sllave. Pa sakrificën tënde në pranverën e vitit ’81, liria jonë kolektive nuk do të vinte. U prehsh në paqe, dajosh! Kujtimi yt do të mbetet i gjallë në zemrat tona, si simbol i qëndresës, dinjitetit dhe dashurisë për atdheun! Lamtumira e fundit do t’i jepet 27/12 e Premte, në ora 14:00, në Rezistencë të Drenasit”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.

Për vdekjen e veprimtarit Sejdi Leku ka shkruar edhe nënkryetari OVLUÇK-së, Nasim Haradinaj.

Ai ka thënë se Leku ishte shok dhe mbështetës i babait të tij, Ismajl Haradinajt.

“Njeriu që iu gjend pranë, e mbështeti dhe e përkrahu në çdo rast Ismajl Haradinin gjatë vuajtjeve në burgun jugosllav. Edhe pse në moshë me diferencë jo aq të madhe me babën tim, ai çdo herë e quante ‘Baca Smajl’. Ka shumë të thuhet për të dhe pak të tregohet se sa është bërë për ta, por ajo fjalë që nuk mund t’ia mohoj dhe as ta kontestoj është: faleminderit për kontributin tuaj në çlirimin e Kosovës. Lavdi dhe nderim për ju dhe të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, i ujitur me gjakun e bijve më të devotshëm të këtij populli. Pushoni më shokët që i ndatë vuajtjet bashkë!”, ka shkruar Nasim Haradinaj në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një familje nga Kosova është ankuar për bllokada të shumta…