Ndërron jetë senatori demokrat amerikan, Harry Reid
Harry Reid, i cili i kishte udhëhequr demokratët amerikanë për 12 vjet në Senat gjatë një periudhe të vështirë, vdiq të mërkurën në moshën 82-vjeçare.
Bashkëshortja e tij, Landra Reid, tha se ai vdiq paqësisht e i rrethuar nga miqtë, pas një beteje 4-vjeçare me kancerin në pankreas, shkruan “The Guardian”.
Për vdekjen e tij pati shumë reagime, përfshirë atë të Presidentit Joe Biden. “Amerikan i madh, ai i shikonte sfidat dhe besonte se ishte brenda kapacitetit të tij që të bëjë mirë, ta bëjë të drejtën. Zoti e bekoftë Harry Reid-in, mik i dashur e gjigant i historisë sonë”, shkroi mes tjerash presidenti amerikan.
Udhëheqësi i shumicës në senat, demokrati Chuck Schumer, tha se senatori Reid ishte “një nga njerëzit më mahnitës që ka takuar ndonjëherë”.
Reid la pas vetes bashkëshorten, pesë fëmijë dhe 19 nipa e mbesa. Në maj të vitit 2018, ai kishte njoftuar se është diagnostikuar me kancer të pankreasit dhe se ishte duke iu nënshtruar trajtimit.