Ndërron jetë veprimtari i çështjes kombëtare dhe ushtari i orëve të para të UÇK-së, Riza Vata
Ka ndërruar jetë të hënën veprimtari i çështjes kombëtare, Riza Vata nga Sallagrazhda e Suharekës.
Lajmi për vdekjen e Vatës e kanë bërë me dije familjarët e tij.
“Sot pushoi së rrahuri zemra e bacit Riza, veprimtarit të hershëm të çështjes shqiptare, ish-të burgosurit politik dhe ushtarit të orëve të para të UÇK-së. Tërë ditët e jetës së tij para çlirimit të Kosovës ishin përpjekje, sakrificë, mund, burg, luftë dhe dashuri për vendin. Ndërsa ditët pas çlirimit të Kosovës ishin spital dhe shërim i tërë asaj sakrifice për Kosovën, pa i marrë asgjë Kosovës, asnjë pagë, duke jetuar si Kosova jonë e varfër dhe më shumë plagë. Lamtumirë Baci Riza”, ka njoftuar avokati Labinot Vata, familjar i bacës Riza.
Veprimtari Vata do varroset nesër (e martë) në orën 13:00 në varrezat e fshatit Sallagrazhdë të Suharekës.