Ndërron jetë veprimtari i sportit dhe gazetari shumëvjeçar, Cenë Pushkolli
Sot ka ndërruar jetë veprimtari i sportit dhe gazetari me përvojë shumëvjeçare, Cenë Pushkolli.
I ndjeri ia kushtoi tërë jetën profesionit të tij të zemrës – gazetarisë, por ndërkohë ishte i pasionuar edhe pas sportit, duke qenë pjesë e klubit të boksit Prishtina, për të cilin ka dhënë kontribut të çmueshëm.
Ai ishte anëtar i Kryesisë së klubit më të suksesshëm kosovar të boksit, i cili kishte arritur suksese ndërkombëtare.
Madje, Pushkolli ishte mik i mirë me legjendën e boksit, Aziz Salihu, të cilin e kishte ndihmuar dhe ju kishte gjendur shumë kur “Zizi” ishte sëmurë disa vite më parë.
Ceni ia kishte kushtuar edhe një libër boksierit më të madh shqiptar, të cilin e kishte titulluar “Kush ishte Aziz Salihu të tjerët flasin për të”.
Pushkolli njëherësh ishte edhe mjeshtër në gazetari, me një përvojë prej disa dekadash. Ai e kishte botuar edhe librin e tij për gazetarinë, “Njohuri për gazetarinë”.
Pushkolli e kishte ideuar dhe themeluar revistën mujore “Bashkimi Paqësor”, ndërsa e kishte themeluar dhe udhëhequr gazetën “Itifak” në katër gjuhë. Gjithashtu, ishte njëri ndër themeluesit dhe kryeredaktori i parë i gazetës së përditshme “Pavarësia”.
Ndër të tjera, ishte zëvendës kryeredaktor në gazetën e përditshme “Tema R” dhe ishte kryeredaktor i gazetës javore informative ”Opinion Plus”.
I ndjeri ishte edhe pjesë e “Rilindjes” dhe “Bujkut”.
Ai e themeloi dhe e udhëheqi Shoqatën Mirëbërëse, humanitare, edukative dhe kulturore “Bashkimi”, e cila ishte regjistruar ndër të parat Shoqata në ish Jugosllavi dhe në Shoqatën Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e njeriut me seli në Frankfurt, të cilën e njoftonte kohëpaskohe për shkeljet sistematike te shqiptareve në ish-Jugosllavi, raporton “GazetaExpress”.
Pushkolli ishte edhe veprimtar i çështjes kombëtare përmes shkrimeve të tij të shumta. Ai ishte njëri ndër themeluesit e Aleancës për Ribërjen e Shqipërisë Etnike.
Janë të panumërta aktivitetet që i ka ideuar dhe organizuar Ceni, në rrugën e tij maratonike te veprimtarit, organizatorit, artikullshkruesit dhe të intelektualit, duke e bërë të pamundurën të mundur.
Së bashku me Mustafë Vocën botuan tekste shkollore në kuadër të Entit te teksteve dhe mjeteve shkollore.
Ai kishte angazhime në fushën e shkrimeve, në organizimin e konferencave dhe simpoziumeve, takimeve të shumta me bashkatdhetarë në Evropë, SHBA, Kanadë etj.
Pushkolli ishte mjaft modest, një njeri i dashur për të gjithë, fliste pak por punonte shumë.
Cenë Hamit Pushkolli ishte i lindur në Prishtinë, në vitin 1950, kishte të përfunduar gazetarinë në Institutin e Gazetarisë në Beograd, dega: gazetaria konsultative-diplomatike. Ai u varros sot në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.