Ndërron jetë William Shakespeare, burri i parë që mori vaksinën anti-COVID
Burri i parë që mori një dozë të vaksinës anti-COVID, atë të kompanisë amerikane Pfizer, që rastësisht ndan të njëjtin emër me shkrimtarin më të famshëm në botë, William Shakespeare ka ndërruar jetë.
Por, nuk ka arsye për panik! 81-vjeçari ka ndërruar jetë nga një atak kardiak, pra një shkak që nuk ka lidhje me pandeminë. Shakespeare kishte qenë punëtor i fabrikës së makinave luksoze Rolls-Royce që prodhohen ekskluzivisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe shërbente edhe si këshilltar në njësinë e tij bashkiake. Familjarët e të ndjerit thonë se ai ishte shumë i lumtur që u bë burri i parë që mori vaksinën anti-COVID në botë dhe e kishte përshkruar këtë eksperiencë si “të mrekullueshme”.
“Ishte diçka për të cilën ai ishte shumë i lumtur dhe mirënjohës. Atij i pëlqeu vëmendja mediatike dhe ideja se shembulli i tij do të përmirësonte jetën e shumë njerëzve. Ai shfrytëzonte çdo rast për të shtyrë njerëzit që të marrin vaksinën”- ka thënë bashkëshortja e tij Joy për BBC.
Nderimin e saj për të ndjerin ka shprehur dhe Partia Laburiste, anëtar dhe aktivist i së cilës ishte përgjatë gjithë jetës William Shakespeare.
“Na vjen keq të dëgjojmë për humbjen e këshilltar tonë në Coventry, Will Shakespeare. Ai ishte në kryefaqen e mediave në botë, si burri i parë që mori vaksinën anti-COVID. Dekadat e shërbimit të tij në partinë tonë njihen nga Kier Starmer dhe i shprehim ngushëllimet tona Joy-t, familjes dhe miqve të Will”- shkruhet në reagimin e partisë Laburiste britanike.