Ndërtesa e ish-burgut të Prishtinës pritet të shndërrohet në Muze
Nga sot edhe zyrtarisht nis projekti i shndërrimit të ndërtesës së ish-burgut në Prishtinë në muze.
Si hap të parë, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka nënshkruar vendimin për formimin e grupit punues që do të hartojë konceptin për projektin e ndërtesës së ish-burgut të Prishtinës me destinim muze, të cilin koncept do t’ia paraqesë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Grupi punues me vendim të ministres do të ketë këtë përbërje:
Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses;
Ndërkaq në rolin e anëtarëve:
Profesor Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë;
Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së;
Xhavit Loshaj, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë;
Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politik të Kosovës;
Meriman Braha, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës;
Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe
Dr. Hagji Ademi, Instituti i Historisë dhe
Ajshe Kamberi, MPB.
Ky vendim shënon hapin e parë konkret drejt shndërrimit të objektit të ish Burgut të Prishtinës në muze dhe është një akt i ndërmarrë nga ministrja Dumoshi konform programit të Qeverisë Hoti.
Ndërtesa në të ardhmen do të menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.
Ministrja Dumoshi tha se ky vendim është marrë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, duke përfshirë edhe aspektin shoqëror dhe historik.
“Shndërrimi i ndërtesës së ish Burgut të Prishtinës me destinim Muze shënon një hap të rëndësishëm për dokumentimin e së kaluarës tonë, krijimin e një hapësire të përshtatshme dhe të nevojshme për të institucionalizuar përjetimet e të burgosurve shqiptarë të Kosovës nën regjimin jugosllav e më pas atë serb. Muzeu i cili do të jetë si rezultat final nga vendimi i sotëm, do të shërbejë si një kujtesë e sakrificës që kanë bërë shqiptarët e Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë”, u shpreh ministrja Dumoshi.