Ndërtimi i 500 banesave përfundon brenda korrikut
Ministri për rindërtimin Arben Ahmetaj gjatë një konference me ministrin turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, ka thënë se projekti përbën risi nga ana teknologjike dhe shkon përtej ndërtimit të emergjencës.
Arben Ahmetaj: “Puna për rindërtimin ka filluar. Projekti mendohet të jetë rreth 500 banesa për qytetarët që kanë humbur shtëpitë në zonën e Thumanës dhe Laçit, shoqëruar me ambiente komerciale dhe dy ambiente të rëndësishme publike. Jemi duke folur për shkollën dhe ndërtesën e bashkisë së Thumanës”.
Shqipëria ka qenë gjithmonë në fokus së Presidentit Erdogan, u shpreh ministri Murat Kurum teksa ka thënë se ndërtimi i banesave është një detyrë ndaj vëllezërve shqiptarë.
Murat Kurum: “U munduam të ishim krah vëllezërve shqiptarë. Kemi ofruar ndihma, jemi mundur të përballojmë nevojat për çadra dhe ushqime. Përveç kërkesave urgjente presidenti Erdogan për të plotësuar nevojat për strehim ka premtuar ndërtimin e 500 banesave. Ne e kemi filluar menjëherë këtë proces. Banesat do të përshtaten me kulturën tuaj të jetesës dhe synojmë t`i përfundojmë brenda 6 muajsh”.
Brenda këtij viti qeveria synon rikonstruksionin dhe ndërtimin e të gjitha banesave në zonat rurale që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit, si dhe rregullimin e dëmeve në shkolla e qendra shëndetësore. Procesi i rindërtimit pritet të përfundojë pranverën e vitit 2021 me krijimin e lagjeve të reja urbane në Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë e Thumanë. Sipas të dhënave zyrtare dimrin po e kalojnë në çadra 10 mijë persona./oranews.tv/