Ndërtimi i universitetit paralel serb në veri po bëhet në pajtim me Albin Kurtin
Serbia ka filluar ndërtimin e objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.
Investimi mbi 6 milionë euro do të bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën që funksionon në kuadër të saj.
Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, hodhi gurthemelin për ndërtimin e universitetit të premten, më 20 gusht, në Mitrovicën Veriore.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se ndërtimi i universitetit paralel serb në veri të Mitrovicës po bëhet në pajtim me kryeministrin Albin Kurti.
“Ndërtimi i Universitetit paralel serb në veri të Mitrovicës po bëhet në pajtim me kryeministrin Albin Kurti. Ai ishte në dijeni për ndërtimin e këtij Universiteti serb qysh në fillim të muajit korrik dhe këtë e ka konfirmuar në përgjigjen që ka dhënë në Kuvendin e Kosovës saktësisht më 7 korrik kur unë e pyeta për ndërtimin e këtij universiteti. Kryeministri përgjigjet që funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim, por ndërtimin e këtij universiteti e vlerëson në të mirën e integrimit të qytetarëve të pjesës veriore në shtetin tonë. Mund ta dëgjoni më poshtë pyetjen time dhe përgjigjen e Albin Kurtit cili kur ishte në opozitë thoshte ‘Serbia nuk kalon’”, ka shkruar Musliu-Shoshi në llogarinë e saj në “Facebook”.