Ndërtohet impianti urban i trajtimit të ujërave të zeza për 30 000 banorë të Gjakovës
Falë Gjermanisë dhe Zvicrës, si dhe bashkëpunimit të tyre të ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe Komunën e Gjakovës, më 11 maj u hap në Gjakovë një impiant i madh urban për trajtimin e ujërave të zeza, i cili do t’i shërbejë rreth 30 000 banorëve. Projekti është zbatuar me sukses nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka theksuar se tatimpaguesit gjermanë kanë kontribuar me 6 milionë euro në ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, i cili do të përmirësojë cilësinë e lumenjve, liqeneve dhe ujërave nëntokësore dhe në këtë mënyrë do të përmirësojë ndjeshëm shëndetin dhe cilësinë e jetesës së rreth 30 000 qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq ambasadori zviceran, Thomas Kolly, ka thënë se Zvicra vazhdon të mbështesë sektorin e ujërave në Kosovë. I nisur së bashku me qeverinë gjermane dhe atë të Kosovës, investimi zviceran prej 8 milionë eurosh ka mundësuar ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, si dhe zëvendësimin dhe riparimin e rrjetit të kanalizimit, nga i cili do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Gjakovës, dhe njëkohësisht do të kontribuojnë në mbrojtjen afatgjatë të burimeve ujore në Kosovë dhe Shqipëri”, ka thënë ai.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë sot në përurimin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Komunën e Gjakovës, ku tha se Kosova është në rrugën e duhur për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.
Kostoja totale e projektit arrin 17 milionë euro. Zvicra dhe Gjermania kanë marrë përsipër pjesën më të madhe të investimit, ndërsa pjesa e mbetur prej 3 milionë euro financohet nga Komuna e Gjakovës.