
Ndërtohet ura e katërt, nga 10 të planifikuara për sivjet në komunën e Podujevës
Në kuadër të investimeve kapitale në projektet infrastrukturore në Podujevë, në lagjen Stublla është duke u ndërtuar ura e re mbi lumin Llap. Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, kanë vizituar këtë lagje për të përcjellë punimet në realizimin e këtij projekti.
Me këtë rast, kryetari Veliu ka përgëzuar banorët e lagjes për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. “Kjo urë lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe e bën më të lehtë lidhjen e kësaj pjese të qytetit me rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë”, ka thënë kryetari Veliu.
Ndërtimi i kësaj ure është njëri nga katër projektet e realizuara në ndërtimin e urave në territorin e Komunës së Podujevës, nga 10 sosh që janë planifikuar për ndërtim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.
/Epoka e re/