Ndeshja ‘All Star’ do të luhet në një format tjetër, dihen edhe pesëshet e dy konferencave
NBA ka shpallur zyrtarisht pesë basketbollistët që kanë marrë më shumë vota për lojën “All Star”, e cila do të organizohet në San Francisco në muajin shkurt.
Titullarët nga të dyja konferencat u zgjodhën në bazë të 50 për qind të votave të tifozëve, ndërsa mediat dhe vetë lojtarët kishin një peshë prej 25 për qind në përzgjedhje. 14 pjesëmarrësit e mbetur të takimit “All Star” do të zgjidhen nga trajnerët dhe emrat e tyre do të bëhen të ditur më 30 janar.
Loja ‘All-Star’ në San Francisko do të luhet në një format të ri pasi do të luhen tre ndeshje dhe 24 lojtarët do të ndahen në tre ekipe që do të përbëhen nga ish-yjet e NBA-së, Charles Barkley, Shaquille O’Neal dhe Kenny Smith. Skuadra e katërt do të jetë e mbushur me fillestarë dhe lojtarë që njihen si ‘rising stars’ apo yjet në rritje. Pesëshja e konferencës Lindore perbehet nga Giannis Antetokounmpo, Jalen Brunson, Donovan Mitchell, Jayson Tatum dhe Karl-Anthoni Towns, ndërsa ajo Perëndimore nga Stephen Curry, Kevin Durant, Shai Gilgeous-Alexander, Lebron James dhe Nikola Jokiq. Do të luhet me sistemin e gjysmëfinaleve dhe finaleve dhe duelet do të luhen derisa dikush të arrijë 40 pikë. All Star do të fillojë të premten, më 14 shkurt dhe do të zgjasë deri të dielën, më 16 shkurt.