Ndeshja e kurdisur Ulpiana-Vllaznia po hetohet nga prokuroria
Futbolli kosovar së fundmi pësoi një tronditje të madhe për shkak të dyshimeve që u ngritën për kurdisje në ndeshjet e Ligës së Parë në Grupin B ndërmjet Ulpianës dhe Vllaznisë së Pozhoranit.
Pas shqyrtimit të ndeshjes dhe rishikimit të saj përmes xhirimeve, Komisioni i Garave brenda Federatës së Futbollit të Kosovës mori vendim për anulimin e saj.
Në vendim thuhet se është konstatuar se ndeshja në fjalë është e kurdisur.
Pas vendimit të FFK-së, kjo çështja ka kaluar edhe në duart e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.
Nga burimet brenda këtij këshilli, KosovaPress mëson se me këtë çështje është duke u marrë prokuroria.
Ndryshe, në renditjen aktuale të Ligës së Parë, Ulpiana është në vendin e katër me 37 pikë, kurse Vllaznia e Pozhoranit është e nënta me 14 pikë.