Ndeshje interesante në basketboll
Xhiroja e 22-të e Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll do të sjellë disa ndeshje mjaft interesante, ndërsa derbi zhvillohet në mes të Golden Eagle Yllit dhe Trepçës.
Skuadra therandase ndodhet në vendin e parë me 16 fitore e katër humbje, kurse mitrovicasit janë në vendin e dytë me 14 fitore e shtatë humbje. Ylli është kampion dhe lider në elitë, duke kërkuar titullin e dytë e radhazi, kurse mitrovicasit, pasi fituan Kupën, duan trofeun e dytë për këtë edicion. Në tri përballjet e zhvilluara mes tyre në këtë edicion, dy herë fitoi skuadra nga Theranda, 91:68 dhe 62:84, ndërsa ‘Xehetarët’ fituan me shifrat 72:69.
Të shtunën Sigal Prishtina e pret Dritën, ku kryeqytetasit shihen favoritë, pasi në këtë edicion kanë 10 fitore dhe 11 fitore, ndërsa gjilanasit kanë 21 humbje, në po aq ndeshje të zhvilluara, duke qenë skuadra e vetme në elitë pa fitore. Të dielën zhvillohet derbi i rivalëve të vjetër në elitën e basketbollit në mes të Bashkimit dhe Pejës.
Prizrenasit kanë nëntë fitore e 12 humbje, ndërsa pejanët kanë 12 fitore e shtatë humbje, andaj pritet një sfidë shumë interesante, me të dyja skuadrat që duan të arrijnë synimet në këtë edicion. Përballja e fundit zhvillohet në mes të Rahovecit dhe Prizreni 16. Vreshtarët janë në formë të mirë dhe do të hyjnë vetëm për fitore. Rahovecasit kanë shtatë fitore e 13 humbje, duke u renditur në vendin e shtatë, kurse prizrenasit kanë 13 fitore e gjashtë humbje.
Përballja mes kampionit dhe fituesit të Kupës në Superligën e femrave
Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 18-të në Superligën e femrave. Sfida kryesore zhvillohet mes Penzës, kampione e Kosovës dhe Bashkimit, që muajin e kaluar fitoi Kupën e Kosovës, ku në gjysmëfinale mundi pikërisht skuadrën pejane. Vashat pejane renditen në vendin e dytë me 13 fitore dhe katër humbje, kurse ato prizrenase janë në vendin e tretë me 12 fitore e pesë humbje. Në garat e elitës këtë edicion janë përballur tri herë, ku dy herë fitoi Penza, me shifrat 63:84 dhe 77:68, ndërsa Bashkimi fitoi 74:70. Kastrioti që numëron 17 humbje, në po aq ndeshje, do të takohet me Trepçën, që ka pesë fitore e 12 humbje, andaj skuadra mitrovicase shihet favorite në këtë përballje. Prishtina është skuadra pa humbje në elitë, me 17 fitore në 17 ndeshje, kurse në këtë xhiro do të përballet me Vëllaznimin, që numëron katër fitore e 13 humbje.
ART MOTION SUPERLIGA – Java 22
Të shtunën takohen:
17:00 Sigal Prishtina – Drita
19:00 Golden Eagle Ylli – Trepça
Të dielën takohen:
17:00 Bashkimi – Peja
19:00 Rahoveci – Prizreni 16
SUPERLIGA E FEMRAVE – JAVA 18
Të shtunën takohen:
13:00 Kastrioti – Trepça
13:30 Prishtina – Vëllaznimi
Të dielën takohen:
19:00 Penza – Bashkimi
/Epoka e re/