Ndeshje interesante në elitën e basketbollit
Superliga e basketbollit rikthehet në aksion me ndeshje shumë interesante pas ndeshjeve që zhvilloi Përfaqësuesja e Kosovës në kuadër të Rrethit e Parë Parakualifikues për FIBA Kupën e Botës 2027.
Rivalet nga Rrafshi i Dukagjinit, Vëllaznimi dhe Peja, e hapin javën e 22-të në Prince Caffe Superligë, që është pjesa finale e kampionatit. Ndeshja që do të zhvillohet në Gjakovë pritet të jetë shumë interesante dhe atmosfera e jashtëzakonshme. Kuqezinjtë janë në vendin e pestë me nëntë fitore e 12 humbje, kurse verdhezinjtë ndodhen në vendin e dytë me 15 fitore dhe gjashtë humbje. Të shtunën në program është edhe ndeshja tjetër e rëndësishme në mes të Bashkimit dhe Golden Eagle Yllit. Prizrenasit janë në vendin e gjashtë me tetë fitore dhe 13 humbje, kurse therandasit në pozitën e katërt me 12 fitore dhe nëntë humbje. Të dielën liderja Trepça e pret Istogun, ku mitrovicasit shihen favoritë. “Xehetarët” ndodhen në vendin e parë me 19 fitore e dy humbje, kurse istogasit në vendin e fundit me një fitore e 20 humbje. Ndeshja e fundit e kësaj xhiroje zhvillohet mes Proton Cable Prizrenit dhe Sigal Prishtinës, ku fitorja është shumë e nevojshme për të dyja skuadrat. Skuadra prizrenase renditet në vendin e shtatë me gjashtë fitore e 15 humbje, kurse ajo prishtinase në pozitën e tretë me 14 fitore dhe shtatë humbje.
SUPERLIGA – Java 22
Të shtunën takohen: 17:00 Vëllaznimi – Peja 19:00 Bashkimi – Golden Eagle
Të dielën takohen: 17:00 Trepça – Istogu 19:00 Proton Cable Prizreni – Sigal Prishtina