Ndeshje vendimtare në Superligën e basketbollit

27 mars 2021 | 13:46

Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 26-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll, ku do të zhvillohen ndeshje vendimtare, tre xhiro pa përfunduar garat e rregullta në elitë.

Vëllaznimi, që ende po lufton për mbijetesë do të përballet me Golden Eagle Yllin. Kuqezinjtë janë në vendin e fundit me 33 pikë, një më pak se Sigal Prishtina, andaj kërkojnë fitoren në këtë sfidë shumë të vlefshme, kurse therandasit kanë grumbulluar 41 pikë, aq sa ka edhe Rahoveci apo një pikë më pak se lideri Ponte Prizreni. Rahoveci pas fitores ndaj Ponte Prizrenit do të përballet me Bashkimin, që ka grumbulluar 36 pikë dhe nuk është në një pozitë të dëshirueshme.

Dy rivalët e vjetër në basketbollin e Kosovës, Peja dhe Trepça do të ndeshen të dielën. Pejanët kanë siguruar “Play-off”-in, duke mbledhur 38 pikë, kurse mitrovicasit kanë tri pikë më pak dhe ndodhen në vendin e gjashtë në renditje. Sfida e fundit do të jetë mes Sigal Prishtina dhe Ponte Prizrenit. Prishtinasit, fitues të Kupës dhe Superkupës ndodhen në vendin e shtatë, me një pikë më shumë se Vëllaznimi dhe një më pak se Trepça, andaj kjo përballje është vendimtare për bardhekaltrit. Ndërkohë, prizrenasit janë në vendin e parë dhe synojnë të mbesin në këtë pozitë për garat e rregullta.

FIVE STAR Superliga – Java 26

Të shtunën takohen:
17:00 Vëllaznimi – Golden Eagle Ylli
19:00 Rahoveci – Bashkimi

Të dielën takohen:
17:00 Peja – Trepça
19:00 Sigal Prishtina – Ponte Prizreni

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, iu gëzua tre pikëve me…