Ndëshkimet në Indi: Shkopinj gome dhe shuplaka për shkelësit e izolimit shtëpiak
India të mërkurën njoftoi izolimin në shtëpi të qytetarëve për 21 ditë si masë mbrojtëse nga përhapja e koronavirusit. Policia në disa raste po i ndëshkon fizikisht shkelësit e këtij urdhri.
Në Indi, policia ka nisur të përdorë forcën kundër atyre që nuk i binden urdhrit për të mos dalë pa arsye nga shtëpia në këtë kohë pandemie.
Patrulla oficerësh të shpërndara nëpër vend bllokuan të enjten rrugët duke ndëshkuar çdo drejtues mjeti që qarkullonte pa motive mjekësore apo jetike.
Shuplakat dhe goditjet me shkopinj gome ishin disa nga dënimet që u detyruan të durojnë disa prej kalimtarëve të pabindur.
Për të tjerë qytetarë, ndëshkimi erdhi në formën e ushtrimeve fizike.
Nga e mërkura, India është blinduar totalisht për tri javët e ardhshme, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit te 1,3 miliardë banorët e vendit.
Deri më tani sëmundja ka infektuar rreth 700 veta dhe të paktën 13 persona kanë gjetur vdekjen.
Izolimi i vendit ka provokuar radhë të gjata në ushqimore, ndërsa në kryeqytet qeveria ka nisur të shpërndajë ushqime falas për të varfrit dhe punëtorët e prekur nga kriza.
Izolimi i vendit vjen pas frikës se koronavirusi po nis të shpërndahet në kryeqytetin Delhi, në qendrën komerciale në Mumbai dhe në qytetet e mëdha.
Kushtet spitalore në Indi janë të dobëta, me vetëm 0.5 shtretër për 1 mijë banorë, krahasuar me 3 apo 4 të tilla në shtete si Italia dhe Kina.
Edhe pse bilanci i të prekurve nga pandemia është ende i ulët, vendi i dytë më i populluar i botës, sipas autoriteteve, rrezikon një shpërthim të rasteve nëse nuk merren masa të ashpra parandaluese./oranews/