Ndëshkimi i BE-së nuk i bën përshtypje Vuçiqit, takohet me Orbanin, e quan mik të mirë
Vetëm pak diitë pasi Bashkimi Evropian ka ndëshkuar dyshen Vuçiq – Orban, këta dy të fundit janë takuar bashkë.
Mbrëmë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua në Bruksel me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, përpara samitit të parë global për energjinë bërthamore.
Pamjet nga takimi i ka publikuar Vuçiqi.
Vuçiqi ka publikuar një fotografi nga një darkë joformale me kryeministrin hungarez në Instagram.
“Me mikun tim në darkën para fillimit të dy Samiteve të mëdha që do të mbahen nesër në Bruksel”. Biseduam për të gjitha temat me rëndësi për vendet tona, shkëmbyen mendime për situatën aktuale gjeopolitike, çështjet rajonale dhe energjinë”, ka shkruar Vuçiqi në foto.
Bashkimi Evropian ka ndëshkuar dyshen Vuçiq – Orban, edhe pse jo në një mënyrë të drejtpërdrejtë. Brukseli ka bllokuar projektin e madh të Hungarisë dhe Serbisë për hekurudhën e shpejtë që lidhte Beogradin me Budapestin.
Serbia ka nisur prej kohësh ndërtimin e saj me paratë e Kinës, por duket se projekti do të ndërpritet në Vojvodinë. Kjo ndërprerje do të bëhet pasi kontraktorët kinezë nuk mund të ndërtojnë në përputhje me standardet europiane. Për këtë arsye, një pjesë e punimeve pranë Budapestit janë pezulluar. Mediat në Beograd shkruajnë se probleme me këtë projekt ka kudo.
Kinezët po heqin dorë, ndërsa të pakënaqur janë edhe hungarezët, pasi ndërtuesit aziatikë nuk dinë të zbatojnë sistemin europian të sigurimit të kontrollit të trenave. Për ta zgjidhur këtë ngërç është vetofruar Gjermania, por Kina ka refuzuar ndihmën.