Ndezi cigaren gjatë trajtimit me oksigjen, pacienti i vë flakën spitalit në Itali dhe vdes
Një cigare e ndezur nga një pacient që po trajtohej në terapi me oksigjen, ka shkaktuar një zjarr shkatërrues në departamentin mjekësor të spitalit Fratelli Parlapiano në Ribera të Italisë.
53-vjeçari rumun hoqi maskën që vazhdonte të nxirrte oksigjen për të pirë duhan. Shkëndija nga çakmaku shkaktoi flakët dhe shpërthimin e menjëhershëm të bombolës së oksigjenit.
Zjarrfikësit më pas e kanë gjetur të vdekur 53-vjeçarin, ndërsa u evakuuan katër pacientët të tjerë të shtruar në spital. Zjarri ka rënë pak para orës 20:00, teksa flakët dhe tymi që pushtuan repartin në katin e parë të spitalit.
Flakët u shuan pas mbërritjes së zjarrfikëseve dhe autoritetet raportuan se nuk ka persona të tjerë të lënduar apo të asfiksuar, por i gjithë reparti i spitalit nuk është funksional.
Prokurori kujdestar pranë prokurorisë Sciacca, i cili hapi hetimet, urdhëroi sekuestrimin e zonës së prekur nga flakët.