Ndihemi krenarë për punën e FSK-së në Shqipëri
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen krenarë me punën që ushtarët e FSK-së kanë bërë në Shqipëri pas tërmetit.
Ai ka thënë se pjesëtarët e kësaj force në operacionin e kërkim-shpëtimit kanë treguar përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në punë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rama ka treguar se për punën e tyre ka marrë lëvdata nga të gjithë. “Unë ndihem krenar për këtë, dhe të gjithë duhet të ndihemi krenarë për punën e FSK-së gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit tragjik në Shqipëri. Për punën e tyre ne kemi marrë lëvdata edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Sigurisht se këto vlerësime më kanë bërë të ndihem i privilegjuar që jam komandant i atyre djemve dhe vajzave për punën që kanë bërë”, ka thënë Rama.
Ai ka vlerësuar se paraqitja e pjesëtarëve të FSK-së në terren ka qenë e jashtëzakonshme që nga dita e parë.
“Ata gjatë punës kanë treguar disiplinë, angazhim, motivim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Vlerësimet pozitive për punën e tyre i kemi që nga autoritetet më të larta shqiptare, duke filluar nga presidenti, kryeministri dhe ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë. Po ashtu, vlerësime të larta kemi marrë edhe prej qytetarëve shqiptarë, sepse pjesëtarët tanë detyrat i kanë kryer me përkushtim të madh dhe me profesionalizëm të lartë”, ka thënë Rama.
Komandanti i FSK-së u është shprehur mirënjohës parterëve që kanë ndihmuar për ngritjen profesionale të kësaj force.
“Ky nivel i lartë i forcës sonë është meritë edhe e partnerëve tanë, sidomos e partnerëve tanë strategjikë, që bashkërisht i kemi ndërtuar këto kapacitete. Pra, ne i kemi marrë prej tyre njohuritë bazë dhe më pas jemi zhvilluar edhe prej trajnimeve që kemi bërë. Në të njëjtën kohë na kanë aftësuar edhe pajisjet që kemi marrë”, është shprehur ai, duke bërë me dije se deri më tani pjesëtarët e kësaj force kanë nxjerrë nga gërmadhat katër persona. “Sa kam informacione, deri më tani janë katër persona që pjesëtarët e FSK-së i kanë nxjerrë nga rrënojat. Dy janë nxjerrë të gjallë, kurse një tjetër është nxjerrë i gjallë por, gjatë rrugës për në spital, ka ndërruar jetë. Ende nuk i dimë statistikat përfundimtare. Kur ta kemi raportin edhe nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe nga përgjegjësit tanë, do të mund të flasim me të dhëna të sakta”, është shprehur Rama.
“Epoka e re”: Z. Rama, ekipet e FSK-së kanë qenë ndër të parat që i kanë ndalë në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit.
Rama: Pas bisedës telefonike që kanë pasur presidenti ynë me kryeministrin e Shqipërisë, të enjten e kemi dërguar një skuadër, e cila përfshinë kryesisht ekspertë që bëjnë vlerësimin e objekteve për qëndrueshmërinë e tyre, për të parë nëse janë të banueshme. Tash vetëm ka përfunduar operacioni i kërkim-shpëtimit. Tani kemi kërkesë nga autoritetet shqiptare për ndihma të tjera, për tenda, krevat fushorë dhe pajisje të tjera përcjellëse. Brenda mundësive dhe kapaciteteve tona ne do t’u dalim në ndihmë për çfarëdo që kanë nevojë autoritetet e Shqipërisë.
“Epoka e re”: Siç e kemi parë, njësitet e FSK-së në mënyrë shumë të shpejtë i janë përgjigjur ftesës së autoriteteve shqiptare për ndihmë. Sa kohë ju është dashur që ata pjesëtarë të përgatiten për këtë operacion?
Rama: Ne e bëjmë një plan vjetor, qoftë të trajnimit apo një plan operacional. Ne i vlerësojmë këto plane dhe në zhargonin ushtarak është analiza e pasveprimeve dhe mësimet e mësuara. Normalisht se aty ku mund të ketë mangësi apo dobësi ne koncentrohemi për t’i eliminuar ato mangësi me anë të trajnimeve. Prej marrjes së informatës neve na janë dashur rreth tri orë që njësitë tona ta marrin rrugën për në Shqipëri dhe brenda pesë orëve kemi qenë në operacion. Ne kemi edhe ligjin për dislokimin e forcave jashtë vendit dhe është dashur që në këtë drejtim të respektohen të gjitha procedurat.
“Epoka e re”: Gjatë kësaj kohe, sa ushtarë të FSK-së kanë shkuar për ta ndihmuar Shqipërinë?
Rama: Ne kemi pasur 60 pjesëtarë atje. Sigurisht se të enjten në mbrëmje një pjesë e tyre kanë kryer operacionin dhe janë kthyer në Kosovë, kurse pjesa tjetër janë nën urdhrat e ushtrisë shqiptare. Operacioni i kërkimshpëtimit në Thumanë ka përfunduar dhe më nuk ka punë për njësitet e specializuar të kërkimshpëtimit. Tani vijnë në shprehje nevojat e tjera dhe do t’ju njoftojmë për çdo veprim tonin. Tani në Shqipëri banorët kanë nevojë për strehim, tenda, batanije dhe krevat fushorë.
“Epoka e re”: Ju i keni vizituar pjesëtarët e FSK-së në këtë operacion të kërkim-shpëtimit. Keni marrë ndonjë vlerësim nga të tjerët për punën e tyre?
Rama: Paraqitja e pjesëtarëve tanë që nga dita e parë ka qenë e jashtëzakonshme. Ata gjatë punës kanë treguar disiplinë, angazhim, motivim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm. Vlerësime pozitive për punën e tyre kemi marrë nga autoritetet më të larta shqiptare, duke filluar nga presidenti, kryeministri dhe ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë. Po ashtu, vlerësime të larta kemi marrë edhe prej qytetarëve shqiptarë, sepse pjesëtarët tanë detyrat i kanë kryer me përkushtim të madh dhe me profesionalizëm të lartë.
“Epoka e re”: Si e keni ndier veten si komandant i kësaj force kur keni marrë vlerësime pozitive për ushtarët tuaj?
Rama: Unë ndihem krenar për ta dhe të gjithë duhet të ndihemi krenarë për punën e FSK-së gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit tragjik në Shqipëri. Për punën e tyre ne kemi marrë lëvdata edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Sigurisht se këto vlerësime më kanë bërë të ndihem i privilegjuar që jam komandant i atyre djemve dhe vajzave për punën që kanë bërë. Ky nivel i lartë i forcës sonë është meritë edhe partnerëve tanë, sidomos partnerëve tanë strategjikë që bashkërisht i kemi ndërtuar këto kapacitete. Pra, i kemi marrë prej tyre njohuritë bazë dhe më pas jemi zhvilluar edhe prej trajnimeve që kemi bërë. Në të njëjtën kohë na kanë aftësuar edhe pajisjet që kemi marrë, sidomos për njësinë e qeneve, por edhe pajisjet e tjera specialistike që na kanë mundësuar ta kryejmë operacionin në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Epoka e re”: A keni ndonjë statistikë se sa persona kanë nxjerrë nga gërmadhat ushtarët e FSK-së?
Rama: Sa kam informacione, deri më tani janë katër persona që pjesëtarët e FSK-së i kanë nxjerrë nga rrënojat. Dy janë nxjerrë të gjallë, kurse një tjetër është nxjerrë i gjallë por, gjatë rrugës për në spital, ka ndërruar jetë. Ende nuk i dimë statistikat përfundimtare. Kur ta kemi raportin edhe nga ana e autoriteteve shqiptare, por edhe nga përgjegjësit tanë, do të mund të flasim për të dhëna të sakta.
“Epoka e re”: Ushtarët e FSK-së kanë operuar edhe me forcat e vendeve të tjera. Si ka qenë bashkëpunimi me këto forca gjatë këtij operacioni?
Rama: Ajo që duhet të theksoj është se gjatë vizitës në terren që kemi pasur me presidentin e Kosovës, ekipet tona kanë bashkëpunuar dhe operuar bashkërisht me vendet e tjera partnere. Për shembull, në Thumanë kanë operuar me njësitet e specializuara nga Greqia, kurse në Durrës kanë operuar me ekipet e specializuara nga Rumania dhe nga vendet e tjera.
Muhamet KOCI