Ndihma e MCC-së është ftesë për përparim të mëtutjeshëm në Kosovë
Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, entitetit të përgjegjshëm implementues të programit të MCC-së në Kosovë, ka treguar se ndihma e MCC-së është ftesë për përparim të mëtutjeshëm në Kosovë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur për rëndësinë e vendimit të kësaj agjencie qeveritare amerikane për ndihmë të mëtutjeshme dhënë Kosovës.
Ai ka pohuar se Kosova duhet të tregojë rezultate të mëtutjeshme në qeverisje të mirë, transparencë, kontroll të korrupsionit, që të kualifikohet për ndihma edhe më të mëdha dhe investime infrastrukturore.
Sipas Selimit, pritet që investimet e mundshme, sidomos në sektorin e energjisë, të mbërrijnë në disa dhjetëra milionë dollarë.
“Vendimi i ri amerikan nënkupton se Kosova ka të drejtë të përfitojë edhe disa dhjetëra milionë dollarë për projekte që ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Kosova, megjithatë, e ka obligim të shënojë përparim në kontrollin e korrupsionit dhe në indikatorë të qeverisjes së mirë për ta mundësuar lëvrimin e këtyre granteve”, ka thënë Selimi.
Ai ka treguar se si Kosova ka arritur ta avancojë statusin e vet në këtë program dhe si do të shpenzohen këto mjete.
“MCC-ja është një organizatë që bazon vendimet në të dhëna empirike, pra në studime dhe në përparim të shteteve në përmbushje të disa kushteve. Prandaj edhe e ka emrin ‘sfidë’ sepse sfidon shtetet që t’i përmbushin kushtet e ashpra, por fer të një qeverisje më të mirë, më transparente dhe lirive ekonomike. Kosova ka shënuar përparim në tre vjetët e fundit, por ky përparim duhet të jetë i qëndrueshëm”, është shprehur ai, duke shtuar se është punuar me shumë agjenci të OKB-së për mbledhjen këtyre të dhënave.
Selimi, i cili ka qenë edhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ka folur edhe për rëndësinë e mbështetjes që Amerika po i jep Kosovës në fusha të ndryshme.
“Aleanca me Amerikën është shtylla kryesore e shumë proceseve që kemi pasur. Kjo aleancë nuk është vetëm e bazuar në interesa gjeostrategjike, por edhe në vlera të përbashkëta. Këto vlera duhet t’i ruajmë, përfshirë luftën për të drejtat e njeriut, dialogun me fqinjë, mbrojtjen e multietnicitetit dhe trashëgimisë dhe dialogut ndërfetar, por edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Selimi.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)