Ndihma e MCC-së është ftesë për përparim të mëtutjeshëm në Kosovë
Drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, entitetit të përgjegjshëm implementues të programit të MCC-së në Kosovë, Petrit Selimi, ka treguar për avancimin e statusit të Kosovës në këtë program. Ai ka deklaruar se kjo ndihmë është ftesë për përparim të mëtutjeshëm në Kosovë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Selimi ka thënë se Kosova duhet të tregojë rezultate të mëtutjeshme në qeverisje të mirë. “Vendimi i ri amerikan nënkupton se Kosova ka të drejtë të përfitojë edhe disa dhjetëra milionë dollarë për projekte që ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Kosova, megjithatë, e ka obligim të shënojë përparim në kontrollin e korrupsionit dhe në indikatorë të qeverisjes së mirë për ta mundësuar lëvrimin e këtyre granteve”, ka thënë Selimi.
Ai ka treguar se si Kosova ka arritur ta avancojë statusin e vet në këtë program dhe si do të shpenzohen këto mjete. “MCC-ja është një organizatë që bazon vendimet në të dhëna empirike, pra në studime dhe në përparim të shteteve në përmbushje të disa kushteve. Prandaj edhe e ka emrin ‘sfidë’ sepse sfidon shtetet që t’i përmbushin kushtet e ashpra, por fer të një qeverisje më të mirë, më transparente dhe lirive ekonomike. Kosova ka shënuar përparim në tre vjetët e fundit, por ky përparim duhet të jetë i qëndrueshëm”, është shprehur ai, duke shtuar se është punuar me shumë agjenci të OKB-së për mbledhjen këtyre të dhënave.
Selimi, i cili ka qenë edhe ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ka folur edhe për rëndësinë e mbështetjes që Amerika po i jep Kosovës në fusha të ndryshme. “Aleanca me Amerikën është shtylla kryesore e shumë proceseve që kemi pasur. Kjo aleancë nuk është vetëm e bazuar në interesa gjeostrategjike, por edhe në vlera të përbashkëta. Këto vlera duhet t’i ruajmë, përfshirë luftën për të drejtat e njeriut, dialogun me fqinjë, mbrojtjen e multietnicitetit dhe trashëgimisë dhe dialogut ndërfetar, por edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Selimi.
“Epoka e re”: Z. Selimi, Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit MCC ka avancuar statusin e Kosovës në programet e saj. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Selimi: Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit – MCC është një agjenci federale amerikane e ngjashme me USAID-in. Pra, është pjesë e qeverisë amerikane që ndihmon shtetet me fonde zhvillimore. Bordi i MCC-së, që kryesohet nga sekretari i Shtetit Mike Pompeo, ka vendosur ta kualifikojë Kosovën për grantet kompakt. Kosova ka një histori me MCC-në që më herët pasi kjo agjenci tashmë ka ndarë 49 milionë dollarë për Kosovën dhe këto mjete që nga viti i ardhshëm do të investohen në mbarë Kosovën. Vendimi i ri amerikan nënkupton se Kosova ka të drejtë të përfitojë edhe disa dhjetëra milionë dollarë për projekte që ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Kosova, megjithatë, e ka obligim të shënojë përparim në kontrollin e korrupsionit dhe në indikatorë të qeverisjes së mirë për ta mundësuar lëvrimin e këtyre granteve.
“Epoka e re”: Për çfarë konkretisht do të shfrytëzohen këta dhjetëra milionë?
Selimi: Këto fonde do të bazohen në projekte që do të dizajnohen nga ekipet e përbashkëta të institucioneve të Kosovës dhe MCC-së. Pra, që nga janari MCC-ja do ta dërgojë një ekip ekspertësh, ndërsa edhe Kosova duhet të sigurojë që do të angazhohet të rekrutojë ekspertë të duhur si dhe të gjejë projekte kualitative që mund të konsiderohen nga MCC-ja. Është me rëndësi të ceket se në Kosovë MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës tashmë janë pajtuar ta themelojnë një entitet implementues, Fondacionin e Mileniumit të Kosovës, të cilin e udhëheq unë, që e implementon grantin fillestar, Programin e Pragut, ndërsa tani paralelisht do të punohet edhe për dizajnimin e programit të dytë, apo Programin Kompakt që me siguri do të fokusohet në fushat që konsiderohen jetike për Kosovën sikurse energjia, sundimi i ligjit etj.
“Epoka e re”: Sa ka qenë sfiduese për Kosovën që të fitojë grantin e dytë nga MCC-ja?
Selimi: MCC-ja është një organizatë që bazon vendimet në të dhëna empirike, pra në studime dhe në përparim të shteteve në përmbushje të disa kushteve. Prandaj e ka emrin ‘sfidë’ sepse sfidon shtetet që t’i përmbushin kushtet e ashpra, por fer të një qeverisje më të mirë, më transparente dhe të lirive ekonomike. Kosova ka shënuar përparim në tre vjetët e fundit, por ky përparim duhet të jetë i qëndrueshëm. Ne kemi punuar me shumë agjenci të OKB-së që mbledhin këto të dhëna. UNDP, OBSh, Banka Botërore, FMN janë disa prej organizatave që janë përfshirë në mbledhjen e këtyre raporteve. Është sfiduese të mblidhen këto të dhëna, të publikohen, po ashtu ne është dashur të tregojmë rezultat të matshëm dhe të pashëm për implementimin e marrëveshjes ekzistuese me MCC-në. Jemi të gëzuar që Bordi i MCC-së ka vlerësuar se ekipi ynë ka treguar rezultat të mirë dhe ka lansuar shpejt aktivitetet e financuara nga Programi i Pragut.
“Epoka e re”: Ka kaluar një vit që Kosova ka përfituar grantin e parë të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit prej 49 milionë dollarësh. Sa është realizuar ky grant?
Selimi: Tash e një vit Kosova, me ndihmën e MCC-së, ka themeluar entitetin MFK. Në hapje të entitetit kanë ardhur mysafirë si drejtori ekzekutiv i MCC-së, pastaj kongresmeni Engel etj. Kemi punuar për përfundimin e studimeve të fizibilitetit dhe dizajnimit të projekteve, ndërsa që nga dhjetori do ta fillojmë implementimin. Viti i ardhshëm është viti kur kompanitë implementuese, që do të jenë me renome ndërkombëtare, do t’i fillojnë projektet si instalimi i njehsorëve në banesat me ngrohje qendrore, apo përmirësimi i efiçiencës energjetike të banesave dhe ekonomive familjare në mbarë Kosovën. Ne, po ashtu, kemi nisur tashmë një projekt për hapjen e të dhënave qeveritare dhe kemi ndarë grante për shoqërinë civile në projektin që synon rritjen e transparencës qeveritare. Pra, MFK-ja ka përmbushur pritjet nga MCC të operacioneve të vitit të parë dhe tash do të fillojë edhe viti i dytë që nënkupton investimet në terren.
“Epoka e re”: Përveç mbështetjes në fushën ekonomike, ShBA-ja po e mbështet Kosovën edhe në fusha të tjera. Tani kemi mbështetjen në fushën e sigurisë për formimin e ushtrisë. Si ish zëvendësministër i Jashtëm, si po e shihni këtë mbështetje amerikane për Kosovën në këtë fazë të rëndësishme?
Selimi: Amerika dhe organizatat e ndryshme, por edhe sektori privat, ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat e luftës për liri dhe shtetformim. Ata kanë ndihmuar ndërtimin dhe reformimin e një sistemi gjyqësor për mbajtjen e sigurisë nëpërmjet forcave ushtarake, ka ndihmuar në investime private siç është rasti i investimeve që pritet të vijnë në Termocentralin Kosova e Re. Tash po shihet edhe roli i madh mbështetës për transformimin e FSK-së. Pra, aleanca me Amerikën është shtylla kryesore e shumë proceseve që kemi pasur. Kjo aleancë nuk është vetëm e bazuar në interesa gjeostrategjike, por edhe në vlera të përbashkëta. Këto vlera duhet t’i ruajmë, përfshirë luftën për të drejtat e njeriut, dialogun me fqinjë, mbrojtjen e multietnicitetit dhe trashëgimisë dhe dialogut ndërfetar, por edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto vlera të përbashkëta do të na hapin edhe dyert e NATO-s dhe do të na sigurojnë për shumë mot si anëtarë të denjë të familjes së kombeve atlantike.
Muhamet KOCI