Ndihma humanitare e Serbisë brenda Kosovës dhe potenciali i skenarit rus
Adri Nurellari
Paralelisht me pandeminë e koronavirusit, Kosova po ballafaqohet edhe me një kërcënim tjetër, që ka të bëj me shtimin e pranisë së Beogradit në Kosovë dhe fuqizimin e strukturave paralele në Serbi. Pak javë më parë Qeveria në detyrë e Kosovës, ka lejuar hyrjen në Kosovë të dhjetëra mjekëve e infermierëve dhe stafeve shoqëruese logjistike të komanduar nga Beogradi dhe ka aprovuar veprimin kudo ku banon komuniteti serb. Në fakt raportimet e fundit të mediave janë duke hedhur hije dyshimi për këta zyrtarë që janë futur masivisht në Kosovë sepse një pjesë e mirë e tyre nuk kanë paraqitur dokumente që të dëshmojnë se janë stafe shëndetësore, prandaj nuk është çudi që të jenë të organeve serbe të sigurisë.
Opozita e ka konsideruar këtë veprim si një dorëzim të sovranitetit përdersa qeveria në ikje është tërhequr nga ofrimi i shërbimeve shtetërore shëndetësor nga një pjesë e mirë e mirë e vendbanimeve dhe popullisë të Kosovës. Jo vetëm kaq por për një periudhë të gjatë, qeveria as që i llogariste për shtetas serbët e Kosovës sepse nuk i përfshinte fare në raportimet e përditshme. Madje as nuk raportoi edhe për një shtetas kosovar 47 vjeçar me përkatësi serbe të fshatit Brus të Leposaviqit i cili vdiq në Nish dhe nuk po raporton as për 55-vjeçarin e Mitrovicës së Veriut që vdiq në fundjave . Paralelisht me testimet që bëheshin në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, në territorin e Kosovës janë bërë edhe testime nga strukturat paralele serbe të cilat i dërgonin në Institutin e Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve “Torlak” në Beograd.
Duke mos i përfshirë të dhënat e komunitetit serb (pra jo të gjithë Kosovës), ministri Vitia faktikisht ishte duke bërë deklarata të rreme gjë që është ligjërisht e dënueshme. Duke mos i përfshirë bashkë me shtetasit e tjerë shqiptare, në një farë mënyre qeveria në largim nuk po i konsideronte si pjesë të Kosovës banorët serbë dhe vendbanimet e tyre. Pas shumë presioneve, vetëm në datën 9 prill kanë filluar institucionet e qeverisë së Kosovës që në deklaratat e përditshme të llogarisin edhe të dhënat që vijnë nga strukturat paralele serbe.
Ajo që e ka bërë më të rëndë situatën aktualisht është fakti që Qeveria e Serbisë e ka shtrirë gjendjen e jashtëzakonshme të saj në datën 19 mars në të katër komunat me shumicë serbe në veri dhe Prishtina zyrtare ka ndenjur duarkryq pa bërë asgjë. Kjo nxorri në pah hipokrizinë e madhe të kryeministrit të larguar Kurti që nga njëra anë refuzoi propozimin e partive të tjera për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë e nga ana tjetër me heshtjen e tij miraton shtrirjen e gjendjes së jashtëzakonshme të Serbisë në katër komuna të Kosovës. Kulmi erdhi në datën 3 prill kur strukturat paralele serbe vendosën në karantinë dy komunat kosovare me shumicë serbe, Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanit. Partia Demokratike e Kosovës e ndjekur mandej edhe parti të tjera, e denoncuan këtë fakt si cënim të sovranitetit të Kosovës. Mirëpo më pas ministri i shëndetësisë në detyrë Vitia dhe një ditë më pas në një video kryeministri i shkarkuar Kurti, deklaruan se vendimi i karantinimit të dy komunave ishtë ndërmarrë nga Prishtina. Deklaratat e qeveritarëve dolën të rreme e qesharake në sytë e publikut sepse u bënë publike dy vendimet ministrisë së shëndetësisë për komunat dhe mbanin datën 9 prill, një javë pasi strukturat paralele serbe e kishin marrë tashmë vendimin.
Forcimi i ndikimit të Serbisë ndaj Kosovës është bërë akoma më flagrant të shtunën kur edhe komunat e veriut janë futur në një rregjim të rreptë ndalimi total qarkullimi për 48 orë ndërkohë që qeveria e Kosovës aprovon me heshtjen e saj. De-facto, kjo do të thotë se është aprovuar që autoritetet lokale serbe të kenë kompetenca ekzekutive autonome të shkëputuara prej vendimeve të Prishtinës. Pra në një farë mënyre qeveria e Prishtinës ka kapitulluar në veri duke pranuar një kantonizimi të Kosovës ku katër komunat e veriut zbatojnë të tjera orare e masa nga pjesa tjetër e vendit.
Duke shfrytëzuar tymnajën e pandemisë, Serbia ka përfituar nga një qeveri e papërgjegjshme ndaj çështjeve të sigurisë kombëtare por edhe e pafatë për të kuptuar se sa i rëndë dhe i rrezikshëm është miratimi i hyrjes dhe veprimit në Kosovë të zyrtarëve të komanduar nga Beogradi si, se sa i dëmshëm është tolerimi i aplikimit në veri të masave të vendosura nga Beogradi si dhe çfarë pasojash problematike afatgjate do ketë rikthimit i fuqizimit të strukturave paralele serbe në Kosovë. Kuptohet që të gjitha këto veprime Serbia po i mbulon me ombrellën e ndihmës humanitare me rastin pandemisë dhe qeveria e shkarkuar po e kapërdin këtë version të historisë pa më të voglin dyshim për qëllimet e vërteta dashakeqe të Serbisë. Ne jemi në një konflikt të ngrirë me Serbinë dhe sikurse na ka mësuar Homeri tek Iliada duhet të jemi të kujdesshëm nga çfarëdo “dhurate humanitare” që mund të na vij si kal Troje. Edhe pse për nga natyra, lufta dhe humanizmi duhet të ishin antipode, pra të kundërtat e njëra tjetrës, historia është e mbushur me raste kur operacionet humanitare janë përdorur për të fshehur e legjitimuar operacione ushtarake. Historia e njerëzimit e njeh prej shekujsh strategjinë e ndërmarrjes së veprimeve ushtarake agresive të maskuara me justifikimin e ndërhyrjes humanitare. Nën maskën e një luftë të shenjtë u ndërmorrën edhe kryqëzatat që oreksin e shteteve feudale për plaçkë lufte e kamufluan nën petkun e ndihmës ndaj të krishterëve të tokës së shenjtë që kërcënoheshin prej ekspansionit të muslimanëve. Fuqitë evropiane të shekullit XIX e përligjnin kolonizimin e Afrikës dhe Lindjes së Largët shfajësimin se po e bënin për të luftuar zinë e bukës, skllavërinë dhe barbarinë.
Por edhe në rajonin tonë, parardhësit tanë i kanë përjetuar në kurriz ekspeditat “humanitare” të Perandorisë Rusie kinse për të dhënë ndihmë për të krishterët ortodoks bullgarë e serb në Ballkan por që në fakt shndërroheshin në operacione të spastrimit dhe homogjenizimit fetar duke shfarosu dhjetëra mijëra muslimanë. Po ashtu fushatat humanitare intensive duke ofruar shërbime shëndetsore, barna, ushqim e infrastrukturë bazike janë përdorur për të fituar mendjet dhe zemrat popujve që u përfshinë në luftëra çlirimtare dekolonizuese sikurse ndodhi me britanikët në Malajzi, hollandezët në Indonezi apo francezët në Algjeri.
Mes shumë rasteve të tjera ia vlen të përmendet edhe kërcënimi i madh global i terrrorizmit ku rol vendimtar luajtën të ashtuquajturat organizatat “humanitare” ekstremiste fetare si Al-Haramain të cilat kanë operuar edhe në trojet shqiptare nën mbulesën e bamirësisë por me agjendë të pastër radikalizimi, indoktrinimi e rekrutimi.
Së fundmi duhet të thuhet se nuk është rastësi që ajo që konsiderohet prej NATO-s si baza pararojë e spiunazhit rus në Ballkan në Nish, fshihet pas emrit Qendra Humanitare Ruso Serbe. Në vijim të përmendjes së Rusisë, ia vlen të shqyrtohet edhe përdorimi i “ndihmës humanitare” të Rusisë si pjesë thelbësore përbërëse doktrinës së “luftës hibride” të këtij shteti të aplikuar në agresionet e ndërmarra dekadave të fundit ndaj Ukrainsës, Gjeorgjisë e Moldavisë. Ukraina ka qenë padyshim rasti më flagrant i abuzimit me termin “ndihmë humanitare” për arsye strategjike ushtarake, sepse nëpërmjet autokolonave që kinsë çonin ndihma, është mundësuar pushtimi i heshtur i Ukrainës Lindore. Paralelisht me atë që ndodhi në mënyrë flagrante me Krimenë e duke filluar nga shkurti, Rusia furnizoi parreshtur me trupa, armatim, municion rebelët të vetshpallurave republika popullore të Donetskit e Luhanskut duke i transportuar në kamionë të bardhë “humanitar” Këtë kamuflazh e kanë demaskuar jo vetëm mediat ndërkombëare por edhe Misioni Special i Monitorimit i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Po ashtu “ndihma humanitare” ndaj pakicës ruse është përdorur nga Rusia si justifikim për të ndërhyrë për një kohë të gjatë në punët e brendshme të Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Edhe ndërhyrja luftarake ruse ndaj këtyre dy shteteve maskua me justifikimin e “ofrimit të ndihmës” për rusët e këtyre shteteve. Fillimisht e pësoi e ashtuquajtura republika rebele e Transnistrias në Moldavi , më pas Abkhazia e Osetia në Gjeorgji e së fundmi Krimea dhe Ukraina Lindore.
Rrëfenja e sajuar nga Rusia ka qenë se është neutrale por ka vepruar vetëm për arsye humanitare në një situatë kur shtetet e sipërpërmendura ishin agresore duke i detyruar rusët që të vetë-mbroheshin. Po ashtu dimensioni humanitar shërbeu pas konfliktit për të justifikuar kinse aneksimet u bënë në përputhje me të drejtën e parimet ndërkombëtare në kushtet e ndërhyrjes humanitare. Mirëpo cilat janë disa leksione nga veprimet ruse që mund të shërbejnë edhe për të analizuar rrezikun e “pranisë humanitare” serbe në Kosovë me bashkëpjesëmarrjen e qeverisë së shkarkuar të Prishtinës?
Së pari është rreziku i skenarit të Ukrainës, që me justifikimin dhe maskimin e stafeve humanitare shëndetësore të bëhet dërgimi personelit ushtarak apo armatimeve e municioneve. Në 6 prill Vuçiqi deklaroi se janë dërguar 248 kamionë me ndihma në Kosovë. Madje për tu shitur si neutral ka theksuar disa herë që ka edhe shumë shqiptarë që po trajtohen në spitalet serbe. Po ashtu duhet theksuar se Moska e përdori në Gjeorgji idenë e ‘ndihmës humanitare’ dhe gjuhën e “humanizmit” si mjet për t’u portretizuar në arenën ndërkombëtare si një aktor neutral dhe i paanshëm në konfliktin e brendshëm gjeorgjian si dhe për të justifikuar mbështetjen e saj të pandalshme për autoritetet rebele të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut ( të cilat nuk dallojnë shumë nga strukturat paralele serbe në Kosovë, sidomos ato të veriut). Pra në rastin e Kosovës, i bie që Serbia fiton një përmirsim të mëtutjeshëm të pozicionin e reputacionit në arenën ndërkombëtare (sidomos përkundrejt BE-së) dhe siguron një epërsi morale edhe më të madhe në tryezën e dialogut. Prapë duke analizuar rastin e Gjeorgjisë duhet theksuar aktivitetet humanitare të Moskës (Beogradit) demonstruan pafuqinë e Gjeorgjisë (Kosovës) për të parandaluar ndërhyrjen ruse në punët e brendshme dhe territorin e saj, si dhe paaftësinë e vazhdueshme të saj për të mbajtur e konsoliduar autoritetin e saj mbi Abkazi dhe Osetinë e Jugut (veri të Kosovës). Të gjitha këto do e vendosin në pozicion inferior Kosovën kur të rikthehet në tavolinën e bisedimeve për paqe me Serbinë. Ky shtet ka arsye për ta përdorur përfshirjen “humanitare” në veri dhe tek komunat e tjera kosovare me shumicë serbe si dhe zmbrapsjen e Prishtinës prej tyre, pra “faktet në terren” si evidencë për pretendimet e tyre potenciale në marrëveshjen finale.
Një tjetër rrezik është se “aktivitetet humanitare” të ndërmarra në periudha të ndryshme në Transniestër, Abkazi dhe Oseti të Jugut çimentuan më shumë lidhjen me Rusinë, në kurriz të zbehjes se integrimit dhe dobësimit të besnikërisë së tyre ndaj shteteve respektive të Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Në perspektivën tonë, padyshim që këto javët e fundit përbëjnë një dobësim të lidhjes së Prishtinës me veriun dhe riforcimin me Beogradin. Kthim i madh prapa krahasuar me procesin e nisur të reintegrimit politik të veriut, shkrirjes së strukturave paralele atje dhe shtrirjes së autoritetit doganor, policor e të drejtësisë që ndodhi pas marrëveëshjeve të Brukselit në 2013. Po ashtu kemi të bëjmë me një zmbrapsje të madhe nga një kohë qeveria e Kosovës shkonte e arrestonte në veri Gjuriçin në mars 2018 apo dërgonte policët për të vënë në kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në aksionin e korrikut të vitit 2011 drejt një situate kur qeveria mashtron publikun për të fshehur pafuqinë që të kundërshtojë masat e diktuara nga Serbia në veri. Prandaj është bërë e domosdoshme që aprovimi i ndërhyrjes humanitare dhe tolerimi i masave serbe në Veri të trajtohet me të njëjtin seriozitet e alarm që shoqëria po trajton luftën kundër koronavirusit.