Ndihmat në Gazë hyjnë përmes pikës kufitare me Izraelin, për herë të parë prej nisjes së luftës

17 dhjetor 2023 | 17:04

Pika kufitare mes Izraelit dhe Gazës, Kerem Shalom, është hapur të dielën për kamionët me ndihma, për herë të parë prej shpërthimit të luftës, kanë thënë zyrtarët izraelitë, me qëllim të dyfishimit të sasisë së ushqimit dhe ilaçeve në enklavë.

Kjo pikë kufitare është mbyllur pas sulmeve të Hamasit në tokën izraelite, më 7 tetor, çka e ka nxitur luftën.

Militantët e Hamasit kanë vrarë 1.200 njerëz dhe kanë marrë peng 240 të tjerë.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Deri më tani, ndihmat në Gazë kanë hyrë përmes pikës kufitare me Egjiptin, Rafah.

Dy burime të Kryqit të Kuq në Egjipt, i kanë thënë agjencisë Reuters se kamionët kanë nisur të hyjnë prej Kerem Shalomit në Gazë.

Njëri prej tyre ka thënë se bëhet fjalë për 79 kamionë me ndihma, raporton Rel.

Kerem Shalom, në kufi me Egjiptin, Izraelin dhe Gazën, është një prej pikave kyçe për transit mallrash prej dhe jashtë Gazës.

Izraeli është thënë se e ka miratuar hyrjen e ndihmave qysh prej javës së kaluar.

Megjithatë, autoritetet izraelite kanë thënë se ndihma humanitare mund të mos arrijë te banorët e Gazës, pasi agjencitë humanitare në Gazë nuk e kanë rritur kapacitetin për të shpërndarë ndihmën e nevojshme.

“Nëse Kombet e Bashkuara nuk kanë kapacitet për të mbledhur dhe shpërndarë, nuk ka rëndësi sa pika hapen. Ata nuk mund të varen prej mekanizimit të njëjtë që e kanë pasur para luftës”, ka thënë koloneli Elad Goren për agjencinë Reuters.

Ofensiva ushtarake ajrore dhe tokësore e Izraelit në Gazë ka rezultuar me mbi 18.700 palestinezë të vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kjo fushatë ushtarake ka përkeqësuar rëndë situatën humanitare, pasi mbi 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Gazës, janë shpërngulur prej shtëpive të tyre dhe po jetojnë në kampe të improvizuara.

Ata po vuajnë nga mungesa e ushqimit, ujit të pijshëm dhe ilaçeve.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I vjetër vetëm një vit, çdo objekt supozohet se është…