Ndihmës Sekretari amerikan Todd D. Robinson të mërkurën vjen në Kosovë, takon Osmanin dhe shmang Kurtin
Para nëntë muajsh, kur veriu i vendit ishte në kulmin e tensioneve, një vizitë e rëndësishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ishte anuluar. Zyrtari i lartë amerikan, ndihmës sekretari Todd Robinson pati shtyrë vizitën e planifikuar për në Kosovë. Por këtë vizitë, Robinson po e realizon tani, pas nëntë muajsh.
Nga agjenda e tij, shihet se z.Robinson në Kosovë do të takojë vetëm Presidenten Vjosa Osmani. Ndërkaq në Shqipëri, ai do të takojë kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Ndihmës sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, do të udhëtojë për në Tiranë, Shqipëri nga data 18 deri më 20 mars ku do të takojë kryeministrin Edi Rama dhe partnerët e INL-së të cilët mbështesin punën e Shqipërisë në forcimin e sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ndërtimit të institucioneve të fuqishme.
Nga 20 deri më 22 mars, Robinson do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takojë Presidenten Vjosa Osmani dhe partnerët e INL-së në mbështetje të forcimit të sundimit të ligjit dhe sektorëve të drejtësisë”, thuhet në agjendën e z.Robinson për vizitat në Kosovë dhe Shqipëri.
Para nëntë muajsh, Ambasada amerikane, në përgjigjen që Nacionale kishte kërkuar lidhur me shtyrjen e kësaj vizite, vetëm pati bërë thirrje ‘për deeskalim të situatës’
Në një përgjigje atëbotë për Nacionalen, Ambasada Amerikane kishte bërë thirrje edhe një herë për deeskalim të situatës.
“Për shkak të krizës aktuale në veri të Kosovë, ndihmës sekretari Robinson ka shtyrë vizitën e tij në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për deeskalimin e situatës dhe rikthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.” – pati thënë një zëdhënës.
Për se sa serioze është çështja e moszhvillimeve të takimeve të nivelit të lartë Kosovë-ShBA e ngriti ditëve të fundit edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë në Radion Evropa e Lirë.
“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, tha Escobar ditë më parë.
Kohëve të fundit Kurtin nuk e takoi Zëvendës Shefja e USAID-it në Kosovë, e cila gjithashtu u takua vetëm me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
“Edhe pse mund të përballemi me mosmarrëveshje apo sfida me qeveri specifike, përkushtimi ynë ndaj popullit të Kosovës mbetet i palëkundur dhe i qëndrueshëm”, ka deklaruar McKee pas takimit me presidenten Osmani.
Qysh prej fundit të majit ishte vetë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ishte shprehur se “do të çuditej” nëse dikush nga pushteti do të mund të zhvillonte takimet të larta me administratën amerikane në dritën e plasaritjes së marrëdhënieve Kosovë-ShBA prej kur qeveria kosovare kishte nisur instalimine me doemos të kryetarëve në godinat komunale në veri.