Ndihmëssekretarja amerikane vlerëson sukseset e policisë në luftën kundër narkotikëve
Ndihmëssekretarja e Shtetit e për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), Kirsten D. Madison, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka realizuar edhe një vizitë zyrtare në Policinë e Kosovës, ku është pritur nga drejtori i Departamentit për hetime në këtë institucion, Riza Shillova.
Shillova në emër të Policisë së Kosovës, ka falënderuar ndihmëssekretaren Madison për vizitën e saj, si dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar ndaj policisë në fusha të ndryshme.
“Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave, trajnimet dhe pajisjet e ndryshme teknike dhe teknologjike të ofruara nga ShBA-ja përmes INL-it dhe ICITAP-it, kanë ndikuar direkt në ngritjen profesionale dhe të kapaciteteve të PK-së, në arritjen e rezultateve pozitive në fusha të ndryshme të IT-së, krimeve kibernetike etj., e në veçanti në fushën e parandalimit dhe konfiskimit të narkotikëve. PK-ja në vazhdimësi ka treguar rezultate pozitive në fushën e parandalimit të trafikimit të narkotikëve, përderisa në vitin 2018 ka treguar rezultate më të theksuara në arrestim, parandalim dhe konfiskimin e substancave të ndryshme narkotike e në veçanti në konfiskimin e 119 kg heroinë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas këtij njoftimi ndihmëssekretarja amerikane, Kirsten D. Madison, ka përgëzuar drejtorin e hetimeve të Policisë të Kosovës Riza Shillova për sukseset e tyre të treguara kohëve të fundit në luftën kundër narkotikëve.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative dhe krimit të organizuar në përgjithësi e veçanërisht, në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me narkotikë.
/Epoka e re/