Ndihmoi në vrasjen e Marigona Osmanit, Arbër Sejdiu dënohet me 15 vite burgim
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim ka dënuar Dardan Krivaqën me burgim të përjetshëm për vrasjen e rëndë të 18-vjeçares, Marigona Osmani.
Kryetari i trupit gjykues gjatë shqiptimit të dënimit, tha se atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 24 gusht 2021.
Ndërsa, Arbër Sejdiu, i akuzuar për veprën penale ‘Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë’, është dënuar me 15 vite burgim, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 22 gusht 2021.
E ndjera, Marigona Osmani, u vra mizorisht në moshën 18-vjeçare më 22 gusht 2021, në banesën e dorasit, Dardan Krivaqa, në Ferizaj.
Krivaqa e Sejdiu e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, e më pas që aty ishin arratisur për në drejtim të panjohur.
Në gusht të vitit të shkuar, Gjykata e kishte gjetur fajtor Krivaqën dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës “vrasje e rëndë”.
Por më 23 shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte miratuar ankesat e avokatëve mbrojtës për aktgjykimin, me arsyetimin se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit.
Ata janë akuzuar edhe për kryeje të dhunimit, por janë shpallur të pafajshëm në këtë pikë, në mungesë provash.