Ndikimi dhe ndihma e GBKNH-s nuk mungoi as për Shqipërinë

04 janar 2024 | 14:41

Veprimtaria lobiste dhe diplomatike e LPK-së në vitet 1987-1994 / Kumtesë në kuadër të simpoziumit shkencor, me rastin e shënimit të 40-vjetorit të LPK-së (5)

Shkruan: Fatmir Lekaj, politolog

Me zhvillimin e ngjarjeve (pas shembjes së murit të Berlinit), ndikimi dhe ndihma e GBKNH-s nuk mungoi as për Shqipërinë. Kjo ndihmë u realizua në kuadër të një projekti shtesë të GBKNH- s, i ashtuquajturi projekti Aksioni Norvegji – Shqipëri (ANSh), i mbështetur drejtpërdrejt nga Ministria e Jashtme Norvegjeze (MPJN), përkatësisht ministri Johan Jørgen Holst. Ky projekt u udhëhoq nga Berit Backer (përgjegjëse e projektit) dhe nga Nufri Lekaj (koordinator i projektit). Fillimisht, nëpërmes këtij projekti u realizuan ndihmat emergjente nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë për në Shqipëri dhe, në këtë vazhdë, me ndihmën e këtij projekti, u etablua OJQ-ja e parë në Shqipëri në vitin 1991, si bërthama e parë nga jashtë për të drejtat e njeriut dhe demokratizim në Shqipëri, përkatësisht Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe për Rehabilitimin e të Përndjekurve Politikë nga Regjimi Totalitar. Në fakt, kjo është OJQ-ja e parë e regjistruar në Shqipëri, e cila vazhdoi të funksionojë edhe pas vitit 1994 nën udhëheqjen e Kozara Katit etj. Gjithashtu, nëpërmes këtij projekti (ANSh-së) u ndihmua themelimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHN-s) në vitin 1991, në bashkëpunim me Arben Puton dhe Kujtim Çashkun. Madje në kuadër të kësaj veprimtarie, Berit Backer, përveç të tjerash, ndihmoi që Shqipëria të përfaqësohet në takimin e ekspertëve të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE-s). Kështututje, në kuadër të veprimtarisë së këtij projekti (ANSh-së), në vitin 1993 Nufri Lekaj, si pjesë e koordinimit të Qendrës për Rehabilitimin e të Burgosurve Politikë në Tiranë me Qendrat Ballkanike, mori iniciativë, në takimin në Greqi, për etablimin e Qendrës në Kosovë për rehabilitimin e ish-të burgosurve politikë shqiptarë, e cila qendër u jetësua në vitin 2000 nga Feride Rushiti.
Shih në vijim një faksimile nga fjalimi i Adrian Katit me rastin e hapjes së punëtorisë së parë rajonale (një perspektivë rajonale Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni), i cili, gjatë fjalimit, përveç të tjerash, shpreh mirënjohjen për kontributin e Berit Backerit dhe Nufri Lekës. Kjo punëtori është organizuar nga Qendra e Rehabilitimit për të Mbijetuarit e Torturës (QShRMT) në bashkëpunim me Rehabilitation and Research Center for Torture Victims (RCT), në Tiranë më 8-10 dhjetor 2000:

No description available.

ADRIAN KATI

No description available.

Në vijim, një faksimile/dokument nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit, që dëshmon se Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit nga viti 1990 arriti të ketë edhe status zyrtar në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, i riemëruar si Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), me përgjegjësin e Grupit, Nufri Lekën, dhe koordinatoren e Grupit, Berit Backerin. Njëherësh kjo faksimile/dokument dëshmon se edhe projekti Aksioni Norvegji – Shqipëri (ANSh) kishte status zyrtar si pjesë integrale e Komitetit Norvegjez të Helsinkit, me përgjegjësen e këtij projekti, Berit Backerin, dhe koordinatorin e këtij projekti, Nufri Lekën:

No description available.

Berit Backer ka qenë studiuese e kulturës shqiptare që nga vitet ’70 dhe njohëse e spikatur (nga të huajt) e gjendjes shoqëroro-politike në Kosovë dhe Shqipëri, njëherësh veprimtare e shquar për kyçjen e çështjes shqiptare në kuadër të Procesit të Helsinkit. Pasi u bë pjesë (në cilësinë e këshilltares dhe bashkëpunëtores) e LPK-së në vitin 1987, u bë aktiviste e pakompromis për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, duke vënë tërë potencialin e vet në këtë drejtim, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Nufri Lekën, Ibrahim Kelmendin, Xhavit Halitin, Adem Demaçin etj. Përveçse e ndihmoi LPK-në, e ndihmoi në këtë vazhdë edhe LDK-në, madje ishte e pranishme në cilësinë e observatores inkurajuese gjatë themelimit të LDK-së, më tutje edhe kryeorganizatore e vizitës së parë zyrtare të Ibrahim Rugovës në Perëndim, përkatësisht në Oslo, me nisje nga Oslo më 14-18 shkurt 1990. Me fjalë të tjera, idealistja dhe mikja e madhe e shqiptarëve, socio-antropologia norvegjeze Berit Backer, ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm “nga të huajt” për Kosovën gjatë viteve ’80 dhe në fillimvitet ’90. Gjatë një periudhe historike kur Kosovës i mungonte përkrahja e “të huajve”, sidomos kur Kosova kishte më së shumti nevojë që zërat e ekspertëve “të huaj dhe të pavarur” t’i informojnë, veçanërisht t’i bindnin kancelaritë politiko-diplomatike të shteteve perëndimore për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, ka pasur njohje me personalitete të rëndësishme të jetës shoqëroro-politike kudo në botë, veçanërisht në Angli. Përveç të tjerëve, njohje ka pasur edhe me ish-ambasadorin e ShBA-së në Beograd, Warren Zimmermann, i cili ishte personalitet me ndikim të madh në kuadër të Procesit të Helsinkit ngaqë paraprakisht (1986-1989) kishte udhëhequr delegacionin e ShBA-së në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE). Përveç njohjes me personalitetet shqiptare në kuadër të emigracionit politik shqiptar, që nga veteranët si Ihsan Toptani, Anton Logoreci etj., në kuadër të punës kërkimore social- antropologjike në Kosovë, është njohur edhe me Ukshin Hotin, Idriz Ajetin, Fehmi Aganin, Mark Krasniqin etj. Gjatë viteve ’70 ka banuar për një kohë në familjen e Kuklecëve të Isniqit dhe gjatë kësaj kohe është marrë me një studim shkencor social-antropologjik për shqiptarët. E ka vizituar Shqipërinë disa herë edhe para viteve ’90 derisa i është ndaluar hyrja në Shqipëri nga regjimi i Enver Hoxhës dhe, pas përmbysjes së diktaturës në Shqipëri, i ka vazhduar vizitat e rregullta në Shqipëri.
Nuk u ndal kurrë duke ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë (që i donte aq shumë), derisa vdiq tragjikisht në vitin 1993, përkatësisht u vra nga një shqiptar i sëmurë psikik (sipas lajmit zyrtar), pjesërisht viktimë e një gjendjeje të rëndë mendore që u pa si mjet i përshtatshëm për t’u manipuluar dhe përdorur në mënyrë të sofistikuar nga UDB-a, e cila paraprakisht ia kishte ndaluar hyrjen Berit Backerit në Jugosllavi dhe, njëkohësisht, përpiqej të ndikonte me propagandë të sofistikuar në mesin e shqiptarëve që ta portretizonte Beritin si spiune dhe antishqiptare. Kjo vrasje ishte një goditje dhe tronditje tepër e madhe për bashkëpunëtorët e Beritës në Norvegji dhe jashtë Norvegjisë, dhe për të gjithë ata që e njohën nga afër dhe ishin të vetëdijshëm për rolin e saj shumë të rëndësishëm (përfshirë tekstshkruesin e kësaj kumtese), dhe për të gjithë ata shqiptarë që më shumë dhe më pak ishin në dijeni për rolin e saj të rëndësishëm në vitet ’80 dhe fillimvitet ’90. Me fjalë të tjera, kjo vrasje ishte tepër e rëndë ngaqë, përveçse ishte vrasje në kundërshtim me traditën shqiptare (vrasje e një femre), e humbëm një mike idealiste shumë të zellshme dhe të rëndësishme për Kosovën dhe Shqipërinë. Për më tepër, vrasja e saj ishte një tentim-atentat mbi çështjen shqiptare në opinionin evropian, në kuptimin se propaganda e UDB-së në mënyrë të sofistikuar përpiqej ta përdorë vrasjen e saj tek opinioni i huaj se kështu shqiptarët i “shpërblejnë” miqtë e tyre. Edhe pse kjo vrasje mizore pashmangshëm barti me vete pasoja për keqësimin e imazhit të shqiptarëve, megjithëkëtë pati rëndësi që shqiptarët menjëherë pas kësaj vrasje mizore, ditën të reagojnë siç u ka hije, duke marrë pjesë masivisht në varrimin e Berit Backerit, sidomos pjesëtarët e mërgatës shqiptare në Norvegji. E në mesin e shumë bashkëpunëtoreve të Beritit në Norvegji dhe jashtë Norvegjisë që ishin të

pranishëm në varrimin e saj (dhe një pjesë të tyre që dërguan telegrame ngushëllimi), të pranishëm ishin edhe bashkëpunëtorët e saj të ngushtë nga Kosova, Adem Demaçi dhe Gazmend Pula, duke përfshirë praninë e Ibrahim Kelmendit në cilësinë e përfaqësuesit të LPK-së. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Suedi, B. Kokalari. Ndërsa presidenti Sali Berisha dërgoi telegram ngushëllimi, ndërsa presidenti Rugova kërkoi, nëpërmes Komitetit Norvegjez të Helsinkit, që të bëhet një deklaratë në emrin e tij në mediet norvegjeze në mënyrë që t’i shprehë keqardhjen e tij publikisht popullit norvegjez.

Fusnotat i ka hequr redaksia / Vijon

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Lulzim Peci, ka thënë se Beogradi është duke e…