Ndikimi i Covid-19 në edukimin e klientëve
Shkruan: Gentrit Kadrolli
Sot jemi duke jetuar në një kohë tepër të vështirë si rezultat i Covid-19, ku secili nga ne mund të ndalet dhe ta pyet veten se çfarë të bëjë tutje. E njëjta gjë ndodh edhe te bizneset, qoftë në ato biznese të vogla, të mesme apo të mëdha. Virusi ka prekur të gjithë pa dallim.
Sot nuk ka rëndësi edhe aq shumë thënia se “bizneset duhet vrapuar për të qëndruar aty ku janë”. Tashmë një numër i konsiderueshëm i tyre duke përfshirë pothuajse të gjithë sektorët kanë ndaluar dhe janë para dorëzimit total. Në rrethana të tilla mund të vlejë thënia e xhunglës se biznesit “konkurro, ristrukturo ose vdis”.
Kjo thënie për një numër të vogël të kategorive të bizneseve nuk mund të vlejë, por për të gjitha bizneset në tërësi sepse situata në të cilën gjendemi është e paparë deri më tani.
Në këto situatë shtrohen shumë pyetje:
Si mund të kalojë online një qendër tregtare?
Si mund të kalojë online një hapësirë zbavitëse për fëmijë?
Si mund të kalojë online një parukeri?
Si mund të kalojë online një qëndrim ditor i fëmijëve në kopsht, etj?
Sot kujtojmë edhe ato biznese për të cilat as nuk ishte menduar se do të vinin kohë turbulence për to, por ja që rrethanat në të cilat gjendemi na tregojnë se paskemi menduar gabim.
Është e qartë që jashtë ambientit biznesor nuk mund të kontrollohen shumë gjëra. Fillimisht, virusi nuk po arrihet të kontrollohet, tregu nuk kontrollohet dhe më i rëndësishmi për biznesin është se klienti nuk mund të kontrollohet.
Kur flasim për klientin dhe për rrethanat në të cilat gjendemi, bizneset e gjithçka çfarë duhet të bëjnë është të ndalen për të rimenduar dhe si të ridrejtohen në raport me klientët.
Zakonisht klientët i ndajmë në ata të cilët qëllim e kanë çmimin e lirë; klientë që janë të vështirë në blerje; klientë që janë të edukuar në blerje; dhe klientët e pasur.
Sot pothuajse të gjitha llojet e lartpërmendura të klientëve po shkrihen në një, në atë klientë të edukuar. Më parë klienti i cili kishte qëllim kryesor çmimin e lirë, fare nuk i bënte përshtypje shërbimi i mirë dhe i sigurt, apo premtimi i realizuar nga ana e kompanisë.
Sot po i njëjti klient kërkon shërbim të sigurt, shërbim me distancë dhe shërbim me pastërti, pra jo vetëm çmimin e lirë, përndryshe nuk bashkëpunon.
Më parë kur klienti i kategorisë së dytë në ndarje, që njihet si “i vështirë”, nga pyetjet shpesh pa logjikë që i parashtronte të bënte për të kuptuar që vet ai nuk e dinte saktë se çfarë kërkonte, por që sot analizon më mirë, përcjell më shumë në atë se çfarë bën biznesi nga i cili shërbehet dhe është në gjendje të paguajë më shumë nëse përfshihen edhe kërkesat si: shërbim me siguri, distancë dhe pastërti.
Nga eksperienca me klientët mund të them se edhe koha që kanë në dispozicion në këtë situatë për biznesin është rritur, por gjithçka çfarë dëshirojnë – rregullat të respektohen.
Këshilla e shumë njerëzve që merren me fushën e ndërtimit të marrëdhënieve me klientin kanë qenë që t’i hapet dera konsumatorit, pra që edhe ai të jetë i përfshirë në kompani.
Do të thotë të hiqet kufiri që ekziston ndërmjet tyre, por sot edhe kjo nuk mjafton. Klienti sot më shumë bën vëzhgim, vëzhgim dhe vëzhgim se sa që jep mendim dhe vërejtje.
Shtrohet pyetja: Pse?
Sepse rregullat janë të qarta dhe shume herë të përsëritura për të gjithë.
Klientët janë në këtë kohë shumë thellë të fokusuar te vetvetja dhe familja e afërt e tyre sepse kanë shqetësime dhe pasiguri ku pikërisht bizneset duhet të fokusohen që shqetësimet e tyre t’i marrin si avantazh duke u fokusuar te ata.
Sot deshëm ne apo jo rregullat nuk i përcakton vetëm klienti ashtu siç ishte deri para pandemisë, tani është përfshirë në përcaktim të rregullave edhe ky virus famëkeq. E që më gjasë do ta ndryshojë përjetësisht sjelljen e konsumatorit.
Bizneset me qëllim apo paqëllim gabimisht janë duke menduar që edhe në këtë kohë duhet shitur fortë, por jo, kjo kohë është për të shpërndarë më shumë ndjeshmëri dhe për të mbajtur dhe forcuar besimin e konsumatorit.
Janë këta klientë që mbajnë logot e kompanive në veturat e tyre, në veshmbathjet e tyre.
Janë këta klientë që e bëjnë marketingun më të mirë kompanisë.
Janë këta klientë që shpesh në trupin e tyre herë bëjnë tatuazhe logot e kompanive në të cilat kanë besuar gjatë. Prandaj kjo gjendje ka për të kaluar dhe gjërat do të bien në vendin e tyre ashtu siç bien çdo herë, por që klientët janë ata që do të vlerësojnë prapë dhe që shpërblejnë ato biznese që edhe pse në kohë të vështirë bizneset arritën ta ruajnë shëndetin e klientëve të tyre.