Ndikimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i Rusisë në Ballkan
Prof. Lisen Bashkurti
Tanimë është një e vërtetë e pakundërshtueshme që prania dhe ndikimi Rus në Ballkan është evident dhe me tendencë në rritje. Këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur. Rusia prej më shumë se dy shekujsh ka hedhur sytë nga Ballkani, ka ndërmarrë qëndrime, veprime dhe iniciativa me qëllim që këtë zonë të Evropës Juglindore ta përdorë për interesat e saj gjeopolitike dhe strategjike.
Niveli parë: Evropa Juglindore si stacion dhe rrugëkalim strategjik
Prania dhe ndikimi rus, ka qenë, është dhe do të mbetet element i rëndësishëm i gjeopolitikës ruse, e cila ndërlidhet me strategjinë e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili i është rikthyer doktrinës gjeopolitike tradicionale ruse të fundit të shekullit 19-të, por, në mjaft aspekte edhe të asaj të Josif Stalinit, në shekullin 20-të.
Gjeopolitika ruse dhe strategjia e saj synon që të mbajë dhe të forcojë pozitën si fuqi detare (Sea Power), pa të cilën Rusia nuk do të mund të luante dot rolin e saj global në të gjitha aspektet. Për vetë pozicionin e saj gjeografik, dalja në detet e ngrohtë dhe të lirë është e vetmja rrugë që Rusia të mbetet një aktor i rëndësishëm global. Pjesë e përpjekjes për arritjen e kësaj strategjie është rritja e agresivitetit mbi Evropën Lindore, shkelja e Traktatit të Ndalimit të Përhapjes së Armëve Bërthamore, kriza e provokuar në Ukrainën Lindore si dhe aneksimi i Krimesë.
Aneksimi i Krimesë, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, ka rritur praninë dhe ndikimin rus në Detin e Zi, duke i risiguruar Rusisë dy dalje alternative në Detin Mesdhe. Alternativa e parë është dalja përmes Detit të Zi drejt në Bosforit, Ngushticës së Dardaneleve në Egje dhe Mesdhe. Përmes pranisë në Mesdhe, Rusia ka ngritur bazën ushtarako-detare në Tartur të Syrisë, si dhe një sërë bazash ushtarake ajrore në Kmeimim, Tijas dhe Shairat, gjithashtu në Siri. Alternativa e dytë, ‘just in case’ është nga Detit të Zi përmes Lumit Danub drejt Ballkanit. Në këtë vështrim të gjerë gjeopolitik dhe strategjik rus, Ballkani është parë si një alternative për dalje në Detet Adriatik, Jon e Mesdhe.
Niveli dytë: Ballkani si mjedis trazitiv hibrid
Prania dhe ndikimi rus në Ballkan favorizohet së tepërmi nga mjedisi tranzitiv hibrid i vendeve të këtij Gadishulli. Në Ballkan kemi disa lloje shtetesh nga pikëpamja e formimit e funksionimit institucional, stabilitetit dhe demokracisë: kemi shtete të reja, ku bën pjesë Kosova, me sfidat e saj të shtetformimit dhe funksionimit; kemi shtete të dobëta, ku bën pjesë Bosnje-Hercegovina, me një situatë mjaft dilematike nga pikëpamja e ekzistencës dhe funksionimit të saj në tërësi; kemi shtete në tranzicion politik, juridik, ekonomik dhe administrative, ku bëjnë pjesë Serbia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Pavarësisht këtij përshkallëzimi shtetesh, karakteristikat që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor në fazën e tranzicionit të tij i bën sistemet e këtyre vendeve relativisht hibride. Kjo do të thotë se në shtetet e Ballkanit Perëndimor krahas elementëve Perëndimorë të demokracisë liberale vijojnë të bashkëjetojnë edhe recidiva të sistemeve të vjetra me origjinë Lindore. Këto dy elementë ekzistojnë dhe rivalizojnë ndërmjet tyre në mjediset politike, sistemet juridike, institucionet dhe në mjediset ekonomike.
Recidivat e trashëgimisë së sistemeve të vjetra Lindore në Ballkanin Perëndimor shfaqen pak a shumë tek të gjithë vendet e këtij rajoni. Elementet e dukshme të keqqeverisjes së vendeve në rajon, simptomat e autoritarizmit dhe të centralizmit, dukuritë dominuese si korrupsioni në nivele të larta, krimi organizuar, pastrimi i parave dhe dukuritë tjera që provokojnë jostabilitet në forma, nivele dhe përmasa të ndryshme janë karakteristikë që e bëjnë tranzicionin e Ballkanit Perëndimor mjaft hibrid.
Modeli hibrid ka marrë pamjen më të plotë në sistemin e sotëm Rus, ku disa parime të përgjithshme të demokracisë Perëndimore ravijëzohen vetëm në Kushtetutën e Federatës Ruse, por që përtej parimeve dhe germave kushtetuese realizohen përmes një modeli autokratik, autoritarist, të centralizuar dhe të kontrolluar nga presidenti rus mbi ekzekutivin, legjislativin në dy nivelet e tij, mbi sistemin e drejtësisë, mbi ekonominë, mediat etj.
Analiza krahasuese midis modelit hibrid Rus dhe tranzicionit hibrid të vendeve të Ballkanit Perëndimor na shpie në konkluzionin se të gjithë elementët më problematik që i hasim aktualisht në Ballkan, si autoritarizmi qeverisës e korruptiv, centralizmi institucional i pushteteve, oligarkia ekonomike, simbioza e politikës me krimin, kontrolli mbi median, injorimi dhe margjinalizmi i opozitave, paqartësitë në politikën e jashtme etj., tregojnë për praninë e modelit Putinist në këtë rajon, prani e cila i hapë dyert dhe rritë mundësitë për zgjerimin e ndikimit rus në rajon.
Niveli tretë: Aleancat e vjetra në kontekst të ri
Prania dhe influenca Ruse në Ballkanin Perëndimor ekziston dhe zhvillohet edhe përmes shteteve individuale dhe rolit të tyre në këtë rajon. Në periudhën e presidentit Jelcin, Rusia deklarohej dhe përgjithësisht ndiqte një politikë Ballkanike të bazuar në qasje rajonale dhe jo me përparësi në shtete individuale. Kjo qasje krijoi marrëdhënie të relaksuar të rajonit me Rusinë.
Me ardhjen e presidentit Putin, sërish politika ballkanike ruse iu rikthye traditës së prioritizimit të shteteve preferenciale, mbështetur në traditë, konfesion, identitet dhe racë. Kjo kthesë në qasjen ndaj Ballkanit e Rusisë ka krijuar marrëdhënie më kontradiktore ruse me rajonin. Tanimë prioritet i marrëdhënieve ruse në Ballkan është Serbia dhe faktori serb në përgjithësi. Nën këtë prani dhe ndikim rus, edhe Serbia ka theksuar kohët e fundit politikën e saj të jashtme të bazuar në dy vektorë, pra euro-ruse. Pikërisht për këtë arsye diplomacia Britanike apelon në vendet e Bashkimit Evropian që të jenë të kujdesshëm me Serbinë, sepse është ‘Kali Trojës i Rusisë’ në Evropë.
Qartësimin e kësaj politike dy vektorëshe euro-ruse të Serbisë e bëri më së miri vizita e fundit e presidentit Putin në Beograd. Kjo vizitë konsolidoi bashkëpunimin dypalësh serbo-rus dhe zgjeroi fushat e bashkëpunimit në ato politike, diplomatike, strategjike, ekonomike, tregtare, kulturore e shpirtërore. Presidenti Putin u prit si Car nga politika dhe kisha Serbe, ndërsa presidenti Vuçiq u nderua si Krajl nga Kremlini. Të dy presidentët u rikthyen në trashëgimitë ruso-serbe, duke lënë anash pjesën tjetër të vendeve jo afiliative me këtë aks tradicional të Ballkanit Perëndimor. Prania dhe influenca Ruse tenton kështu që të fragmentarizojë orientimin gjeopolitik të Ballkanit Perëndimorë përmes një shteti individual.
Niveli katërt: Kosova si target serbo-rus
Për sa kohë që Serbia do të vazhdojë të jetë e preferuara individuale e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, ajo do jetë një dorë e zgjatur e gjeopolitikës ruse, përmes politikës bivektorëshe euro-ruse. Kështu që Rusia do të ndikojë në Ballkanin Perëndimorë në dy drejtime: në mënyrë direkte përmes Serbisë, dhe në mënyrë tërthore përmes pranisë dhe ndikimit Serb në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në mënyrë më evidente kjo vërehet në Kosovë. Duke marrë parasysh që prania dhe ndikimi i Serbisë në Kosovë vazhdon të jetë e dukshme dhe e rrezikshme, mendoj që edhe nëse prania dhe ndikimi rus nuk janë të drejtpërdrejta në Kosovë, tërthorazi, përmes pranisë dhe influencës serbe, Rusia patjetër që është e pranishme dhe ndikon në Kosovë.
Në rrafshin e ideve, prania e politikave, e strategjive dhe taktikave ruse në Kosovë është e dukshme. Për shembull, teza për rivënien e statusit të Kosovës në diskutim ndërkombëtar ka origjinë të qartë ruse. Teza për të rishikuar kufijtë përmes ndryshimeve, korrigjimeve, korrektimeve, zhvendosjeve, është gjithashtu një tezë e njohur ruse. Taktika për të krijuar zona apo kriza të ngrira në rajone delikate, siç është Azia Qendrore, ose siç është pjesa perëndimore e Rusisë apo siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor është tipike ruse. Gjithashtu është evidente taktika Ruse për të shpërdorur dhe për të abuzuar minoritetet etnike, si valvula për t’i provokuar vendet fqinje dhe për t’i mbajtur ato nën presion të vazhdueshëm. Sipas autoriteteve të Kosovës, shtrirja e ndikimit rus është e pranishme edhe në ekonominë e vendit, por kryesisht përmes Serbisë, ndonëse në masë të vogël në krahasim me vendet e fuqishme Perëndimore.
Pra, shumë elemente që lidhen me strategjinë e politikës së jashtme të Rusisë, por edhe me taktikat që përdor ajo për të realizuar këtë strategji, vërehen edhe në realitetin politik të Kosovës, përmes deklarimeve, qëndrimeve dhe veprimeve të Serbisë. Politika e jashtme dhe diplomacia serbe, aktualisht nuk demonstron ndonjë kreativitet origjinal, por një transplantim mekanik të politikës së jashtme dhe diplomacisë ruse në nivelet dhe kontekstin Ballkanik.