Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë
Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” fton të gjithë shqiptarët që më 15 janar 2023 duke filluar nga ora 19:30 të bëjnë ndezjen e qirinjve në shenjë respekti e përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.
Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë aktivistët e Qendrës do të bëjnë ndezjen e qirinjve.
“Ftohen qytetarët e Prishtinës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet. Qytetarët e qyteteve tjera, me vetiniciativë mund ta bëjnë ndezjen e qirinjve në sheshet kryesore të qyteteve dhe të fshatrave të tyre”.
“Organizimi me vetiniciativë edhe i qytetarëve në qytetet jashtë Kosovës është i mirëseardhur, andaj ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë të bëjnë nderimin e viktimave të gjenocidit pikërisht më 15 janar 2023 nga ora 19:30”.
“Ata që nuk kanë mundësi të dalin në shesh, këtë ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e tyre.
Po ashtu, ftojmë të gjithë shqiptarët anekënd botës që në ora 19:30, sipas kohës së tyre lokale, ta bëjnë ndezjen e qirinjve në ballkone e dritare në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë. Ftojmë gjithashtu organizatat joqeveritare, veçanërisht ato që në fokus të aktivitetit të tyre e kanë çështjen e viktimave të luftës që të bashkangjiten në këtë aktivitet përkujtimi”, ka njoftuar Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.