Ndjesia e vendit

07 gusht 2024 | 15:17

DAVID LODGE

Në LA nuk mundesh me bo kurrgjo nëse nuk vozitë. E unë s’muj me bo kurrgjo nëse s’pi. E kombinimi pije – makinë vërtet është i pamundur. Nëse veç e liron rripin e sigurisë ose e shkund hirin e cigares ose i shtin gishtat në hundë, atëherë vjen autopsia e Alkatrazit me pyetje të shtrueme ma vonë. Çfarëdo mosdisipline, çdo shkelje dhe ja ku e ke altoparlantin, do shënje­stra edhe një derr në kopter që këqyr me ta vizatu kok­rrën në qilim.

E çka mundet me bo një djalë i shkretë? Del nga hotel Vraimonti. Përtej Wattsin që zien, ku horizonti i qendrës bart njolla qurrash jeshile të Zotit. Ec majtas, ec djathtas, si ni grumbull minjsh në lumin e shpejtë që përplaset. Ky restorant nuk shërben pije, tjetri nuk shërben mish, ky tjetri s’u shërben heteroseksualëve. Mundesh me e la shimpanzenë, mundesh me e bo tatuazh k…n, njëzet e katër orë, por a mundesh me hongër bukë? Dhe nëse e sheh një tabelë në anën e largët të rrugës që thotë MISH – PIJE – QAQ, harroje. E vetmja mënyrë për me e kalu rrugën është nëse lind andej. Të gjitha shenjat për kalimin e këmbësorëve thonë MOS EC, krejt, gjithë kohës. Ky mesazh është përmbajtja e Los Anxhelosit: mos ec. Rri mrena. Mos ec. Vozit. Mos ec. Vrapo! Provova taksitë. Kot. Taksi­stat janë të gjithë Saturnian që as vetë s’janë të sigurt nëse ky është planet i djathtë apo i majtë. Seni i parë që duhet me bo, në çdo udhëtim, është me i mësu me vozit / MARTIN AMIS Paratë (1984)

SIÇ ËSHTË BËRË TASHMË E QARTË për lexuesin, ndarja e librit tim, arti i fiksionit, në “aspekte” të ndryshme është disi artificiale. Ndikimet në fiksione janë të shumta dhe janë të ndërlidhura, ku secili aspekt shfrytëzon dhe kontribuon te tjetri. Fragmenti i përzgjedhur i veprës Paratë të Martin Amisit, si shembull i përshkrimit të vendit, mund të kishte shërbyer po aq mirë për ta ilustruar Skazin ose Defamilja­rizimin, si edhe ndonjë temë të paprekur ende. Kjo është edhe një formë tjetër të thuhet se përshkrimi në romanin e mirë kurrë s’është vetëm përshkrim.

Ndjesia e vendit është zhvillim mjaft i vonshëm në historinë e prozës. Siç e vërejti Mikhail Bakhtini, qyte­tet e romancave klasike, për intrigën, janë perde të këmbyeshme: nga ajo që na është thënë, Efesi mund të ketë qenë edhe Korinti ose Sirakuza. Romancierët e hershëm anglezë pothuajse nuk ishin shumë specifikë për vendin. Për shembull, në romanet e Defoesë ose të Fieldingut, Londrës i mungojnë hollësitë e gjalla vizuale të Londrës së Dickensit. Kur Tom Jonesi mbërrin në kryeqytet në kërkim të Sofisë së tij të dashur, narratori na thotë se ai:

ishte krejt i huaj në Londër; dhe ndërsa mbërriti së pari në një lagje të qytetit, banorët e së cilës kishin shumë pak komunikim me pronarët e shtëpive në sheshin Hanoveri ose sheshin Grosvenor (sepse ai hyri përmes rrugës Grey’s Inn), brodhi për ca kohë, para se ta gjente rrugën te pallatet fatlume, ku Luksozja ndahet nga e rëndomta… paraardhësit e të cilëve, të lindur në ditë më të mira, shkaku i meri­tave të ndryshme, sollën pasuri dhe nder te pasar­dhësit e tyre.

Siç interpretohet nga vizioni ironik i autorit, Londra përshkruhet tërësisht në terma të variacioneve të klasës dhe statusit të banorëve. Nuk bëhet asnjë përpjekje që lexuesi “ta shohë” qytetin, apo ta përshkruajë ndikimin e tij shqisor te një i ri i ardhur nga fshati për herë të parë. Krahasoni përshkrimin e Dickensit për ishullin e Jakobit në librin Oliver Twist:

Për të arrirë në këtë vend, vizitori duhet të depërtojë nëpër një labirint rrugësh të fshehta, të ngushta dhe me baltë, të mbushura me njerëz të pagdhendur dhe të varfër të buzëujit… Produktet më të lira dhe më të dobëta grumbullohen pirg në dyqane; artikujt më jocilësorë dhe më të thjeshtë të veshjeve varen në dyert e shitësve, që derdhen nga muri i ulët dhe dritaret e shtëpive… ai ecën poshtë ballinave të shtëpive që lëkunden e që dalin mbi trotuar, muret e zhveshura sikur tunden ndërsa kalon, oxhaqet gjysmë të shkatërruara, gjysmë të rropatura të bien, dritaret e mbrojtura nga shufrat e hekurit të ndry­shkur që koha dhe pisllëku pothuajse i kanë ngrënë, çdo shenjë e imagjinueshme e shkretimit dhe e shpërfilljes.

Tom Jones u botua në vitin 1749, ndërsa Oliver Twist në vitin 1838. Ndërhyrja e lëvizjes së Romantizmit përsiati mbi efektin e mjedisit te njeriu, hapi sytë e njerëzve ndaj bukurisë sublime të peizazhit dhe me kohë, ndaj simbolizmit të zymtë të pei­zazheve të qytetit në epokën industriale.

Martin Amis është përfaqësues i vonë i traditës dikensiane të gotikës urbane. Vështrimi i tij mahnitës dhe tronditës në qytetin postindustrial pajton vizionin apokaliptik të kulturës dhe të shoqërisë në një gjendje të skajshme shkatërrimi. Ashtu sikurse te Dickensi, ambientet e tij shpesh duken më të animuara se personazhet, sikur jeta të shterej nga njerëzit e të rishfaqej në formë demonike, destruktive në gjëra: rrugë, makina, vegla.

Narratori i veprës Paratë, John Self (Amis gjithashtu ndjek lojën dikensiane me emrat) nuk është tamam personazh kom­pleks ose simpatik. Ai është profesionist i ri urban i ligë, i dhënë pas ushqimit të shpejtë dhe makinave të shpejta, ushqimit të keq dhe pornografisë. Ai udhëton mes Anglisë dhe Amerikës në përpjekje të lidhë një marrëveshje filmi që do ta pasuronte. Londra dhe Nju-Jorku janë lokacionet kryesore të veprimit të tij. Kjo e fundit është më përpara sa i përket mjerimit fizik dhe moral, por natyra e biznesit, detyrimisht e shpie Selfin në Los Anxhelos, kryeqytetin e industrisë së filmit.

Sfida e formës së zgjedhur të këtij romani është që stili të jetë edhe përshkrim elokuent i djerrinës urbane edhe shprehës i karakterit të plogët, vizionngushtë, akulturor të narratorit. Amis e menaxhon këtë truk të vështirë duke maskuar aftësitë e tij letrare pas breshërisë së zhargoneve rrugore, sharjeve, fyerjeve dhe shakave. Narratori flet të folmen e Atlantikut të mesëm që pjesërisht rrjedh nga kultura popullore dhe mas­mediat dhe pjesërisht nga sajimet e mundshme të Amisit. Për shembull, për ta deshifruar paragrafin e parë të këtij fragmenti duhet të dini se Alkatrazi është burg i famshëm kalifornian, se “derri” është term abuzues për policin, se “me ta vizatu kokrrën” do të thotë të marr në shenjë, “qilimi” është zhargon amerikan për parukë (megjithëse Selfi e përdor për t’iu referuar flokëve të vërteta), dhe supozojmë se “kopter” është pjesë e fjalës që rrjedh nga “helikopter”. Metafora për qiellin e ndotur të qytetit, “njolla qurrash jeshile të Zotit”, shenjon perëndinë e Dhiatës së Vjetër që ngryset mbi Sodomën e sotme dhe është po aq e papritur sikur te poezia “Kënga e dashurisë së J. Alfred Prufrock” e T. S. Eliotit “kur mbrëmja t’shtrihet për qielli/si pacient gati për operim mbi tavolinë”, po ashtu i detyrohet diçka edhe përshkrimit të detit nga Stefan Dedalusi si “jeshil qurrash”, në episodin e parë të Uliksit. Por, përderisa Prufrocku ka pretendime të larta kulturore dhe Stefani me vetëdije shtrembëron epitetin e pëlqyer të Homerit për detin, “verë -errët”, John Selfi duket, thjesht, sikur zemërim i një nxënësi dhe kjo na shpërqendron nga sofistikimi letrar i imazhit.

Tropi kryesor i përshkrimit të Los Anxhelosit është hiperbola ose mbivlerësimi. Në këtë rrafsh ajo i ngjan rrëfimit skaz, Rojë në thekërishte të përmendur më parë. Por, fragmenti i Amisit është më shumë një skenë retorike se gjithçka tjetër në romanin e Salingerit. Ai realizon një seri variacionesh të ekzagjeruara në mënyrë komike mbi temën e zakonshme, p.sh., se Los Anxhe­losi është qytet i dhënë dhe i dominuar nga makinat (“E vetmja mënyrë për me e kalu rrugën është nëse lind andej”); dhe mbi vëzhgimet e pazakonshme se Amerika favorizon shitore të lira me pakicë dhe se shoferët e taksive amerikanë shpesh janë emigrantë të rinj që nuk i dinë rrugët.

Jo shumë kohë më parë, me të mbërritur në Boston, mora një taksi, shoferi i të cilit bëri tri përpjekje, i ndihmuar nga konsultimi radiotelefonik në rusisht me komandë, para se ta gjejë rrugën e daljes nga aeroporti. Nuk është e lehtë të ekza­gjerohet kjo lloj paaftësie, mirëpo Amisi e gjeti mënyrën: “Taksistat janë krejt Saturnianë që as vetë s’janë të sigurt nëse ky është planet i djathtë apo i majtë. Seni i parë që duhet me bo, në çdo udhëtim, është me i mësu me vozit”. Jehona e sloganit të zakonshëm për mbajtjen e rripit të sigurisë, “Klank Klink, çdo udhëtim”, ndjek menjëherë aludimin për fanta­shkencë – proza e Amisit argëtohet me pranëvënie të tilla, të nxjerra nga plehrat e ndërdijes urbane bashkëkohore. Kjo jehonë, gjithashtu, përforcon ritmin e hareshëm si kërcitje gishtash të të gjithë fragmentit, që në një çast të veçantë rrëmbyes rrezikon të shpërthejë në vargje të rimuara (“You can get your chimp shampooed, you can get your dick tattooed”) (në shqip nuk rimojnë folja laj dhe emri tatuazh).

Rreziku i shumicës së përshkrimeve të skenës së vendit (romanet e Sir Walter Scott janë shembuj të tillë) është se vargu i fjalive deklarative të mirëformuara, të kombinuara me suspansën e vonimit narrativ, e vënë lexuesin në gjumë. Këtu nuk ekziston ai rrezik. Koha e tashme përshkruan si vendin ashtu edhe lëvizjen e narratorit nëpër të. Ndryshimet në meny­rat e foljes – nga dëftore (“Del nga hoteli”) në pyetëse (“por a mundesh me hongër drekë?”) në urdhërore (“Mos ec. Vozit. Mos ec. Vrapo!”) dhe përemri i përgjithshëm në vetën e dytë (“Ti ec majtas, ec djathtas”) – e përfshijnë lexuesin në proces. Pas leximit të shumë faqeve të këtij lloji shkrimi, mund t’ju zë gjumi nga lodhja, por jo nga mërzia.

Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi.

Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”.

©“Armagedoni”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Misioni i NATO-s në Kosovë - KFOR-i, ka reaguar pas…