Ndodh në Gjakovë: U rrahën për një fotografi të postuar në TikTok, 10 persona përfundojnë në mbajtje
Sebep qe një fotografi e postuar në rrjete sociale. Për të në rrugën “Domenik Përgegaj” të Gjakovës u rrahën mes vete 10 persona, të gjithë familjarë, të moshave të ndryshme.
Për Klan Kosova ngjarjen e rrëfeu një dëshmitar.
“Ata djemtë e kanë fotografu shoqen e djalit të vëllaut dhe e kanë qitë në TikTok edhe për qeta kush e ka qitë kanë nis tu u shajt në TikTok në mes vete, edhe i ka bashku djali i vëllaut i madhi i ka marrë edhe 4 persona e kanë ardhë këtu e ka nis mosmarrveshja”, tha ai në kushte anonimiteti,
Gjatë incidentit, siç pohon ky, u përdorën edhe mjete të mprehta.
“I kanë qu në spital se dy a tre janë lëndu këtu, kur kanë shku atje mjekët i kanë thirr policinë, erdhën ata, bile kur erdhën më pyetën a është përdorë armë, por jo ne këtu jemi kanë s’ka pas armë”. shtoi tutje ai.
Megjithatë organet e rendit njoftuan se ka pasur edhe të shtëna armësh.
“Njësitet policore te një i dyshuar tjetër kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë të tipit Blow-Magnum, e cila dyshohet se është përdorur”, thuhet në raportin e policisë.
Me vendim të prokurorit të 10 meshkujt pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.