Ndotja e ujit, Bajrami: Qeveria urgjentisht të dalë me shpjegime për qytetarët
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë urgjente t’i njoftojë qytetarët për nivelin e ndotjes së ujit në Liqenin e Badovcit.
Ajo ka shkruar në “Facebook” se qeveria duhet ta ketë parasysh faktin se 95 për qind e qytetarëve nuk kanë mundësi të blejnë ujë për pije dhe gatim.
“Derisa dje, kur në Kuvend opozita debatonte për përmirësimin e kushteve të Policisë së Kosovës, debat të cilin LV-ja e bojkotoj, ata zgjedhën pikërisht këtë kohë që të thërrasin konferencë për medie për të folur të gjeturat e raportit të Autoritetit Rregullativ të Ujërave, duke ju referuar disa herë gjendjes para dhe pas ardhjes së LV-së në pushtet, por janë bërë 17 orë që kur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik doli me lajmërim: ‘të gjitha lagjet e Prishtinës dhe rrethinës, respektivisht të gjithë ata që furnizohen nga Liqeni i Badovcit të mos e përdorin ujin e sistemit as për pije dhe as për gatim’ dhe nuk ka asnjë reagim nga ana e qeverisë”.
“Qeveria urgjentisht të dalë me shpjegime dhe të ju tregoj qytetarëve: – Sa i ndotur është uji i Liqenit të Badovcit? Sepse pjesa me e madhe e qytetarëve nuk kanë mundësi me ble ujë dhe do të vazhdojnë ta konsumojnë atë ujë. – Çka po bëjnë autoritetet shtetërore për evetimin e këtij problemi? – Nëse ky është problem që mund të evitohet, sa do të zgjatë krejt procesi? – A është i mundshëm pastrimi i Liqenit të Badovcit nga koncentrimi i manganit? – Si do t’i ndihmojë qeveria qytetarët që nuk kanë mundësi të blejnë ujë gjatë kësaj kohe? Qeveria duhet ta ketë parasysh faktin se 95 për qind e qytetarëve nuk kanë mundësi të blejnë ujë për pije dhe gatim. Zgjohuni nga gjumi, bëni zgjidhje për qytetarët!”, ka shkruar Bajrami.