Ndryshe nga BE-ja, Britania e Madhe i jep mbështetje qeverisë për vettingun
Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë i ka dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës për procesin e vettingut, përkundër kritikave të Bashkimit Evropian (BE) në Raportin e fundit për Kosovën.
Kjo ambasadë në faqen e vet zyrtare në “Facebook” ka rishpërndarë postimin e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me fillimin e punës në hartimin e amendamenteve kushtetuese për vettingun.
Ambasada britanike ka bërë me dije se do ta përkrahin procesin e vettingut dhe do të vazhdojë të jetë partnere e qeverisë.
“Ne mirëpresim takimin e sotëm të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në fillimin e punës për amendamentet kushtetuese lidhur me procesin e vettingut. Ne e kemi përkrahu iniciativën nga fillimi dhe do të vazhdojmë të jemi partner për qeverinë përderisa bën progres”, është thënë në njoftimin e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.
Ndërsa Komisioni Evropian (KE) në raportin e fundit për Kosovën ka vlerësuar se sa i përket disa opsioneve që Qeveria Kurti ka propozuar lidhur me procesin e vettingut siç është rivlerësim i plotë dhe i njëhershëm i të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz.
“Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias”, është thënë në raportin e KE.