Ndryshime në stafin e Kombëtares shqiptare, zbulohet ‘urdhri’ i Sylvinhos
Sylvio Mendes Campos Junior do të prezantohet të hënën si trajneri i ri i Shqipërisë.
Federata Shqiptare e Futbollit (FShF) ka njoftuar në ditët e para të janarit se është arritur marrëveshja me brazilianin, i cili pason Edoardo Rejan në pankinën e kuqezinjve. 48-vjeçari do të nënshkruajë një kontratë 18-mujore me FShF-në. Objektivi i tij i vetëm është që të arrijë kualifikimin në fazën finale të Evropianit Gjermani 2024.“Supersport” ka mësuar se Sylvinho ka vendosur që të qëndrojë në Tiranë për sa kohë të jetë trajner i Kombëtares, për të qenë sa më pranë futbollit shqiptar e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ai do të jetë i angazhuar maksimalisht gjatë gjithë kohës. Ish-mbrojtësi i majtë ka kërkuar që krahas tij edhe pjesa tjetër e stafit të tij të qëndrojnë gjithashtu në Tiranë, për të pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm.
Në të tilla rrethana, Hamdi Salihi, i cili ka qenë pjesë e stafit të Kombëtares në rolin e një prej zëvendëstrajnerëve, nuk do të jetë më pjesë e ekipit kuqezi, kjo për faktin se ish-sulmuesi shkodran jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe e ka të pamundur që të zhvendoset të jetojë në kryeqytet.
Ish-mbrojtësi argjentinas Pablo Javier Zabaleta dhe ish-mesfushori brazilian Dorival Guidoni Junior, i njohur si Doriva, janë konfirmuar si ndihmëstrajnerët e Sylvinhos, por “Supersport” ka mësuar se në stafin e brazilianit do të shtohet dhe një përgatitës atletik, i kërkuar nga ana e tij.
Ndeshja e parë zyrtare e Shqipërisë në kualifikueset e kampionatit evropian do të jetë në muajin mars në Varshavë ndaj Polonisë, por 48-vjeçari do të ketë dhe një ndeshje miqësore para takimit me polakët për të njohur skuadrën.
Sylvinho është një emër i njohur në futbollin botëror, teksa si lojtar ka qenë pjesë e Barcelonës, Manchester Cityt dhe Arsenalit.
Si trajner, në 2011 ai ka marrë pozicionin e zëvendësit te Cruzeiro, për të kaluar më pas te Sport Recife, Nautico, Corinthians, dhe tek Interi së bashku me Roberto Mancinin.
Ai ka qenë edhe zëvendëstrajner i Brazilit për tri vjet, duke mbajtur postin e asistentit të Tite, përpara se të merrte drejtimin e Lyonit në Francë dhe më pas Corinthiansit në kampionatin brazilian. Tani, ish-anësori kërkon të bëjë hapin e madh si trajner i Shqipërisë, teksa arritja e objektivit do të përcaktojë dhe shifrat financiare që do të përfitojë braziliani dhe ndihmësit e tij për aventurën 18-mujore.
Prezantimi i Sylvinhos dhe pjesës tjetër të stafit do të bëhet nga presidenti Armand Duka, të hënën në orën 11:00 në ambientet e stadiumit “Air Albania”.