Ndryshimet e COVID-19 me gripin spanjoll – pandeminë më të madhe të gripit në histori
Në 150 vitet e fundit bota ka parë një përmirësim të paparë në shëndet. Në shumë vende jetëgjatësia, e cila mat moshën mesatare të vdekjes, është dyfishuar nga rreth 40 vjet ose më pak në më shumë se 80 vjet. Ajo që bie në sy është se sa të papritura dhe të dëmshme mund të jenë ndodhitë negative shëndetsore. Më e habitshme është rënia e madhe, e papritur e jetëgjatësisë në 1918-ën, e shkaktuar nga një pandemi jashtëzakonisht vdekjeprurëse e gripit që u bë e njohur si ‘gripi spanjoll’.
Ky virus nuk ishte i kufizuar në Spanjë dhe as nuk e kishte origjinën atje. Një humultim i fundit sugjeron që epidemia filloi në New York për shkak të provave të një vale para-pandemike të virusit në atë qytet. Por u quajt i tillë, sepse Spanja ishte neutrale në Luftën e Parë Botërore (1914-18), që do të thoshte se ishte e lirë të raportonte për ashpërsinë e pandemisë. Përhapja e gripit filloi në Hemisferën Veriore në pranverën e vitit 1918. Virusi u përhap me shpejtësi dhe përfundimisht arriti në të gjitha pjesët e botës: epidemia u bë një pandemi.
Ndërsa vdekshmëria arriti kulmin në vitin 1918. Pandemia mori fund dy vite më vonë, në fund të 1920-ës.
Numri global i vdekjeve nga gripi sot
Për të kuptuar ashpërsinë e pandemive të gripit, duhet të dini numrin e vdekjeve të një sezoni tipik gripi. Vlerësimet aktuale për numrin vjetor të vdekjeve nga gripi janë rreth 400,000 vdekje në vit. “Paget et al” (2019) sugjerojnë një mesatare prej 389,000 me një interval 294,000 deri 518,000.
Kjo do të thotë që në vitet e fundit gripi ishte përgjegjës për vdekjen e 0.0052% të popullsisë botërore – 1 person nga 18,750. Pandemia e më shumë se një shekulli më parë, shkaktoi një normë vdekjeje që ishte 182 herë më e lartë se baza e sotme.
Ngjashmëritë dhe ndryshimet me Coronavirus-in (COVID-19) në 2019/20
Sa njerëz vdiqën nga gripi spanjoll dhe pandemitë e tjera të gripit?
Patterson dhe Pyle (1991) vlerësuan se 24.7-39.3 milionë vdiqën nga pandemia.
Studimi i cituar gjerësisht nga Johnson dhe Mueller (2002) arrin në një vlerësim shumë më të lartë – 50 milionë vdekje globale. Por autorët sugjerojnë se ky mund të jetë një nënvlerësim dhe se numri i vërtetë i vdekjeve ishte deri në 100 milionë.
Studimi i fundit nga Spreeuwenberg et al. (2018) arriti në përfundimin se vlerësimet e mëparshme kanë qenë shumë të larta. Vlerësimi i tyre është 17.4 milionë vdekje.
Shkalla globale e vdekjes
Si krahasohen këto vlerësime me madhësinë e popullsisë botërore në atë kohë? Sa peshë zinte pjesa që vdiq në pandemi?
Vlerësimet sugjerojnë se popullsia botërore në 1918-ën ishte 1.8 miliardë.
Bazuar në këtë, vlerësimi më i ulët i 17.4 milionë vdekjeve nga Spreeuwenberg et al. (2018), nënkupton që gripi spanjoll vrau gati 1% (0.95%) të popullsisë botërore.
Nëse mbështetemi në vlerësimin e 50 milionë vdekjeve të publikuara nga Johnson dhe Mueller, kjo nënkupton se gripi spanjoll vrau 2.7% të popullsisë botërore. Nëse do të ishte në të vërtetë më e lartë – 100 milionë, siç sugjerojnë këta autorë, atëherë shkalla globale e vdekjes do të kishte qenë 5,4%.
Ku ndryshon gripi spanjoll nga shpërthimi i Coronavirus-it në vitin 2020?
Kur krahasohet COVID-19 me gripin spanjoll, ekzistojnë një numër ndryshimesh të rëndësishme që duhet të merren parasysh:
Ato nuk janë e njëjta sëmundje dhe virusi që shkakton këto sëmundje është shumë i ndryshëm. Virusi që shkakton COVID-19 është një koronavirus, jo një virus i influencës që shkaktoi gripin spanjoll dhe pandemitë e tjera të gripit të listuara më lart.
Vdekshmëria specifike për moshën duket të jetë shumë e ndryshme. Gripi spanjoll në vitin 1918 ishte veçanërisht i rrezikshëm për foshnjat dhe të rinjtë. Koronavirusi i ri që shkakton COVID-19 duket të jetë më vdekjeprurës për të moshuarit, bazuar në provat e hershme në Kinë.
Gjatë gripit spanjoll shumë vende u përpoqën të shtypnin çdo informacion në lidhje me përhapjen e gripit. Sot ndarja e të dhënave, hulumtimeve dhe lajmeve nuk është sigurisht e përsosur, por është shumë e ndryshme dhe shumë më e hapur se në të kaluarën.
Por është e vërtetë që bota sot është e lidhur shumë më mirë. Në 1918-ën ishin hekurudhat dhe anijet me avull që lidhnin botën. Sot aeroplanët mund të transportojnë njerëz dhe viruse në shumë cepa të botës në një kohë shumë të shkurtër.
Dallimet në sistemet shëndetësore dhe infrastruktura gjithashtu kanë rëndësi. Gripi spanjoll goditi botën në ditët para se të shpikeshin antibiotikët; dhe shumë vdekje, ndoshta shumica, nuk u shkaktuan nga vetë virusi i gripit, por nga infeksionet dytësore bakteriale. Morens et al (2008) zbuloi që gjatë gripit spanjoll “shumica e vdekjeve … ka të ngjarë të vijnë direkt nga pneumonia bakteriale sekondare e shkaktuar nga bakteret e zakonshme të traktit të sipërm respirator”.
Jo vetëm sistemet shëndetësore ishin të ndryshme, por edhe kushtet shëndetësore të jetesës së popullatës globale. Virusi i 1918-ës goditi një popullsi botërore, nga e cila një pjesë shumë e madhe ishte jashtëzakonisht e varfër – një pjesë e madhe e popullsisë ishin të kequshqyer, në shumicën e pjesëve të botës popullsia kishte shëndet shumë të dobët, kanalizimet e dobëta dhe standardet e ulëta të higjenës ishin të zakonshme. Për më tepër, popullsia në shumë pjesë të botës u dobësua nga një luftë globale. Burimet publike ishin të vogla dhe shumë vende sapo kishin shpenzuar një pjesë të madhe të burimeve të tyre në luftë.
Ndërkohë që shumica e botës është shumë më e pasur dhe më e shëndetshme tani, ekziston ende shqetësimi se njerëzit më të varfër do të goditen më rëndë nga shpërthimi i COVID-19.
Këto dallime sugjerojnë që duhet të tregohemi të kujdesshëm në nxjerrjen e mësimeve nga pandemia e një shekulli më parë.
Por gripi spanjoll na kujton se sa i madh mund të jetë ndikimi i një pandemie, edhe në vendet që kanë qenë të suksesshme tashmë në përmirësimin e shëndetit të popullatës. Një patogjen i ri mund të shkaktojë shkatërrim të tmerrshëm dhe të çojë në vdekjen e miliona njerëzve. Për këtë arsye, gripi spanjoll është cituar si një paralajmërim dhe si një motiv për t’u përgatitur mirë për shpërthime të mëdha pandemike, të cilat janë konsideruar të mundshme nga shumë studiues.
Nga Max Roser për Our World In Data