Ndryshimet kushtetuese si rrugë e vetme për vetting-un
Vetting-u në drejtësi në Kosovë nuk ka alternativë, por pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë proces të vetting-ut. Kështu kanë vlerësuar Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”.
Më 13 tetor, Qeveria e Kosovës e ka miratuar koncept-dokumentin për vetting-un në drejtësi, përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.
Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
Grupi punues i themeluar nga Ministria e Drejtësisë, në koncept-dokumentin e hartuar, ka sugjeruar “vetting-un me ndryshime kushtetuese nga një trup ad-hoc dhe i njëjti më pas vazhdon vlerësimin e vazhdueshëm në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se “edhe pasqyra aktuale ligjore lejon hapësirë për mbarëvajtje të procesit të vetting-ut përmes plotësim-ndryshimeve të ligjeve relevante”.
“Pa amendamente kushtetuese s’ka vetting”
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson se ky Institut, në bazë të analizave që ka bërë, ka nxjerrë përfundimin që proces të vetting-ut, pa ndryshime kushtetuese, nuk mund të ketë. Sipas tij, çdo rrugë tjetër, përmes ndryshimeve ligjore, nuk mund të quhet vetting.
“Çdo proces që ka të bëjë me rritjen e integritetit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, që bëhet pa amendamente kushtetuese, atëherë nuk mund ta ketë emrin vetting. Ne mund ta quajmë si të duam, por atëherë nuk hyn në kuadër të atij vetting-ut gjithëpërfshirës në bazë, i cili ka për qëllim ta sigurojë pavarësinë dhe integritetin e këtij procesi, sepse me ligjet aktuale, me Kushtetutën aktuale, në qoftë se do të kishim një Këshill Gjyqësor dhe Këshill Prokurorial të pavarur, që zbatojnë ligjin dhe procedurën, nuk do të kishim nevojë fare të bëjmë vetting”, ka thënë Miftaraj.
Mendim të njëjtë ka edhe Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”. Ai, si përfaqësues i shoqërisë civile ishte pjesë e Grupit punues që ka hartuar koncept-dokumentin për vetting-un dhe që tashmë është pjesë e Grupit punues për përgatitjen e bazës ligjore dhe ndryshimeve kushtetuese për vetting-un, të cilat do t’i propozohen Kuvendit të Kosovës nga Qeveria. Demhasaj shpjegon arsyet se pse ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për të realizuar procesin e vetting-ut.
“Ne i kemi dy nene në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të cilat i përcaktojnë kriteret se kur ne mundemi ta shkarkojmë ose ta largojmë nga detyra një prokuror apo një gjyqtar. Në ato, nuk bëhet fjalë që lidhen me vetting-un. Nëse ne arrijmë të bëjmë vetting-un dhe del që një numër i caktuar i prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk i plotësojnë kriteret për të vazhduar që të jenë pjesë e sistemit, nuk mund t’ua marrim mandatet sepse i mbron Kushtetuta. Prandaj janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese, qoftë suspendimi i këtyre neneve për një kohë të caktuar, në mënyrë që ta funksionalizojmë dhe zbatojmë një proces të vetting-ut”, ka thënë Demhasaj.
Ai ka shtuar se për të bërë ndryshimet kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave të kuvendit që ka 120 deputetë, si dhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve joshumicë. Demhasaj ka thënë se duhet të arrihet vullneti politik i të gjitha forcave politike shqiptare dhe atyre të komuniteteve joshumicë, të cilat duhet ta kenë parasysh që vetting-u është në të mirën e sistemit të drejtësisë dhe në interes të qytetarëve në përgjithësi.
Miftaraj: Mbikëqyrja e vetting-ut nga një trup i huaj
Por, Myftaraj ka shprehur mendimin që deri më tani, lidhur me procesin e vetting-ut, nuk ka pasur komunikim të duhur dhe debat të sinqertë nga ana e Qeverisë së Kosovës me subjektet opozitare, me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Por, sipas tij, një konsensus politik i të gjitha subjekteve parlamentare për ndryshimet kushtetuese lidhur me vetting-un, është i domosdoshëm, marrë parasysh që, përveç partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, edhe partitë e mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në programet e tyre zgjedhore, në zgjedhjet e fundit parlamentare të 14 shkurtit, kanë paraparë realizimin e një procesi të vetting-ut. Për mbikëqyrjen e zbatimit të drejtë të vetting-ut në sistemin e drejtësisë, Myftaraj ka thënë se janë të domosdoshme mekanizmat që do ta mbikëqyrin këtë proces.
“Koncept-dokumenti e ka përcaktuar në mënyrë të qartë që përmes ndryshimeve kushtetuese, kompetencat që i kanë aktualisht Këshilli Gjyqësore dhe Këshilli Prokurorial do t’i delegoheshin, për një periudhë të caktuar kohore, një trupi të veçantë, i cila do të duhej të përbëhej nga ndërkombëtarët, ku përfshihen amerikanë, gjermanë dhe britanikë. Këta persona me ekspertizë, me përvojë dhe me integritet, do të bënin vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë. Po flasim për një trup të jashtëm, i cili do të garantonte këtë proces, ku Këshillat aktualë gjyqësorë dhe prokurorialë nuk do të kishin fare hise në këtë drejtim”, ka thënë Miftaraj.
Demhasaj: Të huajt s’mund ta bëjnë vetting-un
Por, ndryshe mendon Demhasaj. Ai ka thënë nuk beson që në mekanizmin mbikëqyrës të zbatimit të procesit të vetting-ut mund të jenë persona ndërkombëtarë.
“Sepse nuk e lejon Kushtetuta dhe baza jonë ligjore që dikush tjetër të vijë dhe të merret me vetting. Ata mund të na ndihmojnë, të na sjellin ekspertë, të na ndihmojnë për atë sesi të krijohet mekanizmi. Por, që ta bëjnë ata vetting-un dhe të jenë pjesë funksionale e mekanizmit, këtë nuk besoj që e lejon baza jonë kushtetuese”, ka thënë Demhasaj.
Ai ka thënë se afati kohor se kur do të përgatiten propozimet për ndryshime kushtetuese dhe kur mund të arrijnë ato si propozim i Qeverisë në Kuvend, nuk është e përcaktuar. Për më shumë, sipas tij, as afati kohor i zbatimit të procesit të vetting-ut, në qoftë se eventualisht arrihen ndryshimet kushtetuese nuk është i përcaktuar në mënyrë të prerë, për shkak se, sipas tij, ky do të jetë proces i cili do të kalojë nëpër disa faza. Por, ai beson që procesi i vetting-ut do të realizohet brenda mandatit të Qeverisë aktuale.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, së fundmi ka kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës që të bëjë vetting “të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”, duke vlerësuar se një gjë e tillë është “burim serioz i shqetësimit”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mospajtimin me këtë konstatim të Komisionit Evropian, duke thënë që procesi i vetting-ut “do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës” dhe se “mosrealizimi i vetting-ut nuk u kontribuon as përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për garantimin e sundimit të ligjit dhe as së ardhmes evropiane” të vendit. /Rel/